Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Ukrainës, z. Volodymyr Shkurov: Të intensifikojmë bashkëpunimin politik e marrëdhëniet parlamentare dhe të zgjerojmë bashkëpunimin ekonomik

  • Postuar më, 19/10/2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Ukrainës, z. Volodymyr Shkurov.

Ambasadori Shkurov e uroi znj. Nikolla për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit, i përcolli gjithashtu urimet e Kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, si edhe e garantoi për vullnetin e Ukrainës për intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh me Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vlerësoi marrëdhëniet e mira e miqësore midis Shqipërisë dhe Ukrainës dhe vuri në dukje interesin e Shqipërisë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kësaj do t’i shërbente edhe mbajtja e Sesionit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, për të nxitur shkëmbimet tregtare midis të dy vendeve dhe sidomos turizmin, si një mundësi e madhe që ka rritur kontaktet mes popujve tanë.

Znj. Nikolla vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin midis të dy vendeve  në nismat shumëpalëshe dhe mbështetjen e kandidaturave respektive; vlerësoi kontributin e Ukrainës në misionet e NATO-s në vende të ndryshme të botës dhe rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën e Ukrainës për  t'u anëtarësuar në  NATO e BE,  për të kontribuar në ndërtimin e një hapësire të qëndrueshme e të sigurt euroatlantike. Intensifikimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar do t’i shërbejë forcimit e zgjerimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve.

 


Share