Zhvillohet mbledhja e parë e Komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administrates shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”

  • Postuar më, 18/10/2021

18 tetor 2021

Në drejtimin e kryetarit të këtij komisioni z. Enkelejd Alibeaj, u konstituua ditën e sotme komisioni hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administrates shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Komisioni parlamentar u ngrit me Vendimin e Kuvendit nr. 79/2021, me propozim të 39 deputetëve të Partisë Demokratike.

Në nisje të mbledhjes z.Alibeaj prezantoi përbërjen e komisionit të përbërë nga 15 anëtarë me përfaqësimin pozitë-opozitë në raportin 8 me 7, si dhe paraqiti qëllimin e ngritjes së Komisionit hetimor. 

“Sipas vendimit të miratuar tashmë nga Kuvendi, ky hetim do të synojë nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, përfshirë edhe garantimin e lirisë së votës, rritjen e besimit të publikut, mirëmenaxhimin e buxhetit të shtetit”, parashtroi z.Alibeaj.

Pika e tretë rendit të ditës ishte përcaktimi i detyrave të Komisionit, për të cilat z.Alibeaj detajoi se: “ objekti i punës së komisionit hetimor është: Verifikimi i përdorimit të të dhënave personale për qëllime elektorale;  verifikimi i përdorimit të fondeve publike për qëllime elektorale, duke përfshirë edhe shpërblimin e dëmeve nga tërmeti i vitit 2019;  verifikimi i përdorimit të procesit të legalizimeve të ndërtimeve informale për qëllime elektorale; verifikimi i punësimeve në administratën publike për qëllime elektorale”.

Më tej u vijua me diskutimin e projekt-rregullores së brendshme të funksionimit të Komisionit Hetimor, për të cilin u caktua nga një anëtar i të dy forcave politike, në mënyrë që të bashkëpunojnë për draftimin e një varianti që do ti paraqitet për shqyrtim mbledhjes së radhës së komisionit.  Për sa i përket caktimit të Sekretarit të komisionit, me propozim të opozitës, u vendos që ai të caktohet pas miratimit të rregullores. 

Mbledhja e radhës së komisionit hetimor do të zhvillohet më datën 20 tetor 2021.


Share