Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në marshimin simbolik të organizuar nën moton “Fjongo rozë na kujton”

  • Postuar më, 15/10/2021

15 tetor 2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, mori pjesë në marshimin simbolik të organizuar sot në Tiranë, nën moton “Fjongo rozë na kujton”, i zhvilluar në kuadër të aktiviteteve që po ndërmerren në mbarë vendin përgjatë muajit Tetor - Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Në marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” morën pjesë znj.Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Evis Kushi, ministre e Arsimit dhe Sportit, znj. Ermonela Felaj, Nënkryetare e Kuvendit, znj. Yuri Kim, Ambasadore e SHBA në Tiranë, deputete, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe dhjetëra qytetarë që iu bashkuan nismës për të rritur ndërgjegjësimin për luftën kundër kancerit të gjirit.

“Jemi të gjithë bashkë këtu, por në fakt duhet të jemi bashkë çdo ditë, sepse nuk mjafton vetëm një muaj për të folur fort me mendje dhe zemër të hapur, që gratë dhe vajzat ti drejtohen diagnostifikimit të kësaj sëmundjeje, sepse diagnostifikimi i hershëm shpëton jetë”, ishte apeli që znj.Nikolla përcolli në fjalën e saj në aktivitet.