Komisioni për Integrimin Europian miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut - Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”

  • Postuar më, 12/10/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Jorida Tabaku, komisioni për Integrimin Europian në mbledhjen e rradhës shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut - Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme znj. Megi Fino, dhe eksperti z. Sokol Dedja.

Programi i Bashkëpunimit Maqedoni e Veriut - Shqipëri ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin midis të dyja vendeve, nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta. Ky program mbështet, gjithashtu, shkëmbimin e eksperiencës dhe njohurive midis përfituesve si dhe përmirësimin e politikave publike mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale në zonën e programit.

Gjatë fjalës së saj zëvendësministrja u shpreh se nuk po financohet ndonjë projekt konkret por po krijohen premisa për financim në të ardhmen. “Fondi prej 1 milionë e 530 mijë euro që është një grant i Bashkimit Evropian dhe ky fond do të përdoret për të financuar projekte që do të identifikohen nga thirrja e tretë për projekt propozime, pasi nuk jemi ende në fazën e financimit të projekteve konkrete”, theksoi znj. Fino.

Pas diskutimeve, komenteve e sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja u zhvillua me prezencë fizike të deputetëve dhe të ftuarve.


Share