Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Zvicrës, z. Adrian Maitre: Fuqizim i bashkëpunimit parlamentar dhe mbështetje për reformat, në shërbim të qytetarëve

  • Postuar më, 27/09/2021

27 shtator 2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot Ambasadorin e Zvicrës, z. Adrian Maitre. Ambasadori Maitre e uroi znj. Nikolla për zgjedhjen në detyrën e lartë dhe shprehu bindjen dhe vullentin për zgjerimin e bashkëpunimit midis parlamenteve të të dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vlerësoi bashkëpunimin politik shumë të mirë e dinamik  midis të dy vendeve. Zvicra është një donator i rëndësishëm për Shqipërinë, donatori i parë në sektorin e shëndetësisë, ka ndihmuar në përmirësimin e sistemit dhe kujdesit shëndetësor si edhe me mjaft programe e projekte të tjera në fusha të ndryshme. Znj. Nikolla shprehu mirënjohjen për asistencën e menjëhershme zvicerane për kalimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe të pandemisë COVID-19. “Bashkëpunimi shumë i  mirë midis parlamenteve të dy vendeve mund të zgjerohet me shkëmbimin e vizitave midis komisioneve e parlamentarëve të dy vendeve. Gjithashtu, ne vlerësojmë mbështetjen e Zvicrës për fuqizimin dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare, rritjen  e produktivitetit dhe eficencës së veprimtarisë parlamentare, si edhe mbështetjen për qeverisjen vendore, edukimin qytetar dhe mbështetjen për reformat, në shërbim të qytetarëve. Ky bashkëpunim do të vazhdojë.”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.        


Share