Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron Kryetarin e Kuvendit të RMV, z. Talat Xhaferi, me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, partnerë të ngushtë në NATO dhe në pritje të mbajtjes së Tryezës së Parë Ndërqeveritare

  • Postuar më, 08/09/2021


8 shtator 2021

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, I ka dërguar një letër urimi z. Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë.

“Me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, Ju dërgoj urimet më të përzemërta.

Në këtë ditë të shënuar, dëshiroj që Republika e Maqedonisë së Veriut të avancojë në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë, rritjes së mirëqënies së qytetarëve dhe integrimit europian.

Një urim të veçantë kam për vëllezërit shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kontributin e tyre të pazëvëndësueshëm në zhvillimin, progresin dhe rrugëtimin europian të vendit Tuaj, si edhe shërbimin si një urë miqësie midis dy vendeve e dy popujve tanë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë partnerë të ngushtë në NATO dhe në pritje të mbajtjes së Tryezës së Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian dhe unë kam bindjen që kjo do të ndodhë sa më shpejt.

Ne kemi të drejtë të jemi krenarë për rolin dhe kontributin që Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin në forcimin e miqësisë dhe rrugëtimin europian të vendeve tona.”, shkruhet në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dërguar Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, me rastin e 30-vjetorit të pavarësisë.

 

 


Share