Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur vakancat për dy anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

  • Postuar më, 23/07/2021

Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur vakancat për dy anëtarë të Këshillit  të Lartë Gjyqësor dhe dy anëtarë  të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të përcaktimeve të nenit 147, pika 2, dhe nenit 149, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 37, pika 1 dhe 135, pika 1, të ligjit nr. 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, në datë 22.07.2021 ka shpallur vakancat dhe kriteret ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët e interesuar për dy vende në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe dy vende në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës.

http://www.parlament.al/News/Index/13920

Kjo procedurë ndërmerret për shkak se anëtarëve aktual të KLGJ dhe KLP, të cilët janë zgjedhur nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, u përfundon mandati në dhjetor 2021.

Kuvendi e ka detyrim ligjor të fillojë procedurën për zgjedhjen e anëtarëve pasardhës, jo më vonë se katër muaj përpara përfundimit të mandatit.

Shpallja e vakancave është publikuar dje në faqen e Kuvendit dhe i është përcjellë me shkresë zyrtare Shkollës së Magjistraturës dhe të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, të cilët kanë në përbërje të tyre fakultet drejtësie, të akredituar sipas rregullave të legjislacionit në fuqi.

Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) të cilëve u është drejtuar shkresa e Kuvendit, kanë detyrimin ligjor të fillojnë procedurat për shpalljen e thirrjeve të interesit për depozitimin e kandidaturave dhe të dokumentacionit përkatës, si dhe verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të kandidatëve, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”.



Share