Mblidhet komisioni hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, caktohen dy ekspertë ligjorë
- Postuar më, 14/05/2021
14 maj 2021
Në drejtimin e
kryetarit z. Alket Hyseni, Komisioni Hetimor parlamentar “Për hetimin e
shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”
zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku u miratua plani përfundimtar i hetimit
dhe u caktuan dy ekspertë ligjorë për marrjen e ekspertizës që kërkon njohuri
të posaçme sipas objektit të hetimit.
Në nisje të
mbledhjes, z.Hyseni sqaroi komisionin se në vijim të kërkesave për informacion
pranë Kuvendit kanë ardhur përgjigjet nga SHISH,Prokuroria e Përgjithshme, SPAK,
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Bashkia Tiranë, si dhe
Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Pas miratimit të
procesverbaleve të datave 8 dhe 11 maj
2021, me konsensusin e të gjithë anëtarëve të komisionit u miratua plani përfundimtar
i hetimit.
Pika e tretë e
rendit të ditës ishte caktimi i ekspertëve ligjorë për marrjen e ekspertizës që
kërkon njohuri të posaçme sipas objektit të hetimit. Sekretarja e komisionit
hetimor, znj.Klotilda Bushka propozoi z.Erind Mërkuri, si ekspertë ligjorë, ndërsa
znj.Elena Xhina propozoi z.Artan Spahiu, të cilët u miratuan me konsensus nga të
gjithë anëtarët e komisionit hetimor.
Znj.Bushka i parashtroi
z.Mërkuri, i pranishëm në mbledhje, disa pyetje që do të jenë edhe në bazë të
punës së ekspertëve, që do të asistojnë komisionin me doktrinë kushtetuese dhe
ligjore.
“Kolegët tanë
deputetë, në bazë të kërkesës të të cilëve, është nisur kjo procedurë për shkarkimin
e Presidentit të Republikës bazuar në Kushtetutë, i janë referuar shkeljeve të
Kushtetutës të parashikuara në nenin 86,89 dhe 94 dhe kjo do të jetë edhe
fokusi i punës sonë; objekti i hetimit është në lidhje me këto shkelje. Duke pasur
parasysh që ne si komision nuk kemi të gjithë njohuritë e doktrinës kushtetuese
mbi këto dispozita, edhe puna e ekspertëve do të jetë që të ndihmojë këtë komision
në interpretime në bazë të praktikës së Gjykatës Kushtetuese, standardeve më të
mira ndërkombëtare siç e përmendi dhe z.Hyseni, opinioneve të Komisionit të
Venecias apo raste të ngjashme në vende të tjera, të cilat japin sa më shumë
informacion mbi standardet dhe mbi të drejtën”, u shpreh znj. Bushka. Afati për përgjigjet e ekspertëve u caktua data 20
maj 2021, ndërkohë që sipas kalendarit të punës mbledhja e radhës së komisionit
do të jetë më datë 17 maj 2021.