Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi: Mishërimi i vlerave të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist.

  • Postuar më, 06/04/2021

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi.

“Me trishtim të thellë mora vesh lajmin nga jeta të veteranit e patriotit Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar. 

Rustem Peçi ishte një veteran, antifashist dhe patriot, i cili që në moshë mjaft të re u aktivizua në  Luftën Çlirimtare si pjestar i rinisë antifashiste. 

Si ushtarak, Rustem Peçi i shërbeu me përkushtim atdheut në të gjitha detyrat e larta me të cilat është ngarkuar.

Si drejtues për një kohë të gjatë i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-Nderi i Kombit, kësaj organizate të nderuar 64-vjeçare, Rustem Peçi ka kontribuar për mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste dhe edukimin e vajzave e djemve të Shqipërisë me respektin e nderimin për historinë, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, lirinë dhe atdheun. 

Rustem Peçi ishte dhe do të kujtohet përgjithmonë si mishërimi i vlerave më të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.


Share