Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratohen dy akte normative, tre projektligje dhe paketa e ndryshimeve ligjore të reformës në drejtësi

  • Postuar më, 23/03/2021

23 mars 2021

Seanca e sotme, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, miratoi dy akte normative dhe tre projektligje. Seanca miratoi edhe paketën me dhjetë ndryshime ligjore të reformës në drejtësi. Dy aktet e miratuara ishin: akti normativ nr. 6 dt. 10.03.2021 "Për dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese ne vendin e prodhimit te tyre" dhe akti normativ nr. 7 dt. 12.03.2021 "Për një ndryshim në aktin normativ nr. 1, dt. 10.01.2021 të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave antiCOVID-19 në Republikën e Shqipërisë si dhe përdorimin e tyre në popullatë" miratuar me ligjin nr. 2/2021 ". Tre projektligjet e miratuara ishin: "Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë "Bechtel International, inc.", për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës"", "Për ratifikimin e marrëveshjes "Për ndryshimin dhe rivendosjen e marrëveshjes nr. 1 në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit të datës 11 janar 2016, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit dhe sektorit të turizmit, BERZH - Shqipëri, llogari bashkëpunimi"" dhe "Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Aleancës GAVI për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (COVAX FACILITY) miratuar me ligjin nr. 134/2020".

 Dy aktet normative

Akti i parë normativ, nr.6/2021, lidhet me ndërhyrjen shtetërore në kushtet e mungesës së vaksinave në treg dhe marrjes kohë të furnizimit të tregut me to, duke rritur potencialisht infektueshmërinë dhe vdekshmërinë nga Covid-19. Nisur nga kjo, është  parë e nevojshme që  Shqipëria të zhvillojë negociata me prodhues të ndryshëm të vaksinave, nga ku përmes këtij akti normativ synohet t’i mundësohet ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin e drejta të zhvillojë negociata me prodhues dhe/ose distributorë të ndryshëm të vaksinës kundër Covid-19. Ky akt u miratua me 95 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenim. Akti tjetër Normativ, nr. 7/2021, në vijim të ndryshimit të mësipërm, lidhet me angazhimin e qeverisë për të mundësua vaksina të tjera që kanë marrë certifikimin nga trupa certifikuese në vendet prodhuese. Pavarësisht zërave kundër nga opozita parlamentare, nga z. Roshi dhe z. Gjoni, edhe ky akt u miratua me 96 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenime.

 Tre projektligjet

Projektligj "Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë "Bechtel international, inc.", për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës"". Me anë të këtij projektligji u miratua një procedurë e veçantë për negociimin dhe ekzekutimin e kontratës me partnerin strategjik “Bechtel Internacional”, Inc., për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës bazuar në shprehjen e interesit paraprak të depozituar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Projektligji u miratua me 93 vota pro, 3 kundër dhe 7 abstenime.

Projektligji tjetër, "Për ratifikimin e marrëveshjes "Për ndryshimin dhe rivendosjen e marrëveshjes nr.1 në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit të dt. 11 janar 2016, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit dhe sektorit të turizmit, BERZH - Shqipëri, llogari bashkëpunimi"", ratifikon marrëveshjen ndryshuese të bashkëpunimit mes MBZHR, MFE, MTM të Republikës së Shqipërisë dhe BERZH, që synon të përmirësojë aksesin për financim në fushën e bujqësisë dhe turizmit nëpërmjet bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve jobankare mikrofinanciare. Projektligji u votua me 97 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime.

Projektligj "Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSh, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Aleancës GAVI për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (COVAX FACILITY) miratuar me ligjin nr. 134/2020", ratifikon ndryshimet e propozuara nga Aleanca GAVI në marrëveshjen e angazhimit. Aleanca GAVI ka propozuar që në vend që GAVI të kërkojë heqje dorë sa herë që një furnizues vaksine i ofrohet një pjesëmarrësi, përmes këtij ndryshimi lejohet të përshpejtohet caktimi i vaksinave që kanë marrë autorizimin e përdorimit emergjent në mënyrë që të mos vonohet me alokimin e tyre. Projektligji u miratua me 96 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenime.

 Paketa e reformës në drejtësi

Propozimi për futjen në rendin e ditës së seancës së sotme të projektligjeve të reformës në drejtësi erdhi nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla. Në prezantimin e paketës, kryetari i komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, deputeti i Partisë Socialiste, z. Ulsi Manja, u shpreh se ndryshimet vijnë si reflektim për problematikat e vërejtura përgjatë zbatimit në praktikë të ligjeve në fuqi nga ana e organeve gjyqësore, gjithashtu, edhe si reflektim i situatës së krijuar me vakancat në sistemin e gjyqësisë si pasojë e vetting-ut. Z. Manja përmblodhi se ndryshimet e propozuara përmes paketës lidhen me përbërjen e Gjykatës së Lartë dhe trupën gjykuese, shqyrtimin e ankimeve, paraqitjen dhe përmbajtjen e rekurseve, kundërrekursin, njësimin dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore, procedimet paragjykimore, si edhe vendimet e Kolegjit Penal ose Kolegjeve të Bashkuara të GJL, përshpejtimin e gjykimit dhe shqyrtimin e dosjeve gjyqësore brenda afateve të arsyeshme. Projektligjet, kryesisht ndryshime me nga 1 nen në ligjet ekzistuese, u miratuan si vijojnë:

1.Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.31995 “Kodi i procedurës penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”” u miratua me 96 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenime.

2.Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 95 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.

3.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar” u miratua me 93 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenime.

4.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996, “Kodi i procedurës civile i Republikës së Shqipërisë””, të ndryshuar”” u miratua me 95 vota pro, 5 kundër dhe 2 abstenime.

5.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”” u miratua me 94 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.

6.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”” u miratua me 95 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime.

7.Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”” u miratua me 93 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.

8.Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”” u miratua me 93 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenime.

9.Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 49/2012, datë 03.05.2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar”” u miratua me 94 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.

10.Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar””

 Seanca e sotme, në vijim të masave protokollare anticovid, u zhvillua në kushte masash të posaçme. 


Share