Seanca plenare miratoi katër projektligje dhe tre projektvendime, rrëzoi një dekret presidencial

  • Postuar më, 08/03/2021

Seanca e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, miratoi katër projektligje dhe tre projektvendime, si edhe rrëzoi një dekret presidencial.

Katër projektligjet e miratuara në seancën e sotme ishin: projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr. 124/2015 "Për efiçencën e energjisë" të ndryshuar"", projektligj "Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere te kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët "DEFENDER EUROPE 21", projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 "Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme" dhe projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut".

Tre projektvendimet e miratuara në seancën e sotme ishin: "Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 43/2017 "Për miratimin e strukturës dhe organikës të Autoritetit të Konkurrencës"", "Për emërimin e një anëtari të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit" si edhe "Për emërimin e një anëtari në Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës."

Dekret nr. 11,979, dt 24.2.2021, "Për kthimin e ligjit nr. 16/2021 "Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Koncesionare "Tirana International Airport", sh.p.k., "Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza", Tiranë"", ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004, të ndryshuar", u rrëzua me shumicë votash.

Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr. 124/2015 "Për efiçencën e energjisë" të ndryshuar"", që bën të mundur amendimin e direktivës 2009/125/EC e 2010/30/EU dhe shfuqizon direktivën 2004/8/EC dhe 2006/32/EC (DEE), për të përfshirë elemente të DEE-së, të munguara në ligjin ekzistues për efiçencën e energjisë, u miratua me 83 vota pro, 13 kundër dhe 8 abstenim.

Projektligji "Për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere te kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët "DEFENDER EUROPE 21", që mundësonte pikërisht lejimin e zhvillimit dhe pjesëmarrjes së forcave ushtarake të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate, u votua me 98 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim.

Projektligji i tretë, "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 "Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme", që synon përmirësimin e eficencës së procesit të vettingut policer, duke  e pezulluar procesin e vlerësimit kalimtar për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës duke e orientuar punën e Komisionit të Jashtën në përfundimin e procesit të vetë trupës vlerësuese të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, u miratua me 88 vota pro, 11 kundër dhe 3 abstenime.

Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut", në kuadër të kushteve të reja të paraqitura nga BREXIT, u miratua me 97 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim.

Dekreti i Presidentit të Republikës, me nr. 11979, datë 24.2.2021, "Për kthimin e ligjit nr. 16/2021 "Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikes së Shqipërisë dhe Shoqërisë Koncesionare "Tirana International Airport", sh.p.k., "Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza", Tiranë"", ratifikuar me ligjin nr. 9312, dt 11.11.2004, të ndryshuar", u rrëzua me 84 vota kundër, 9 abstenime dhe 11 pro.

Projektvendimi "Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 43/2017 "Për miratimin e strukturës dhe organikës të Autoritetit të Konkurrencës"" u miratua me 87 vota pro, 12 kundër dhe 6 abstenime. Projektvendimi “Për emërimin e një anëtari të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit", u miratua me 80 vota pro për kandidaturën e z. Olsi Çoku. Projektvendimi i fundit, "Për emërimin e një anëtari në Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës", u miratua me 91 vota pro, 8 kundër dhe 10 abstenim për kandidaturën e z. Denar Biba. 

Mbledhja e sotme plenare u zhvillua në kushte të posaçme, në respektim të masave protokollare në kuadër të pandemisë.


Share