Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian zhvilloi mbledhjen e radhës

  • Postuar më, 22/02/2021

22 shkurt 2021

 

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në drejtimin e Nënkryetarit, z. Taulant Balla, zhvilloi sot mbledhjen e radhës me temë: “Ecuria e zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian në Raportin e vitit 2020 për Shqipërinë referuar fushës së bujqësisë dhe sigurisë ushqimore si edhe menaxhimi i asistencës financiare të BE për këto dy fusha”. E ftuar në këtë takim, që u zhvillua online, ishte ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Milva Ekonomi.

Z. Balla, në nisje të takimit, u shpreh se bujqësia është një nga sektorët me ndikimin më të madh për zhvillimin në vend, duke qenë se përbën burim kryesor për punësimin dhe të ardhurat. Duke u bazuar në të dhënat e INSTAT-it, z. Balla solli në vëmendje se sektori i bujqësisë siguron 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe më shumë se 37.4% të nivelit total të punësimit. Gjithashtu, z. Balla, duke iu referuar raportit të progresit për Shqipërinë nga Komisioni Evropian, shtoi se sipas këtij raporti, niveli i përgatitjes në këtë fushë për Shqipërinë është i mirë dhe gjatë 2019-2020 ka pasur progres në zbatimin e masave përkatëse në sektorin e sigurisë shëndetësore dhe veterinare.  Nënkryetari i KKIE u shpreh se mbetet i vetëdijshëm që mbetet ende shumë për t’u bërë, e sidomos në drejtim të sigurisë ushqimore. Ai shtoi se politika e Bashkimit Evropian mbështet fermerët dhe zhvillimin rural, por njëherësh zbatimi i këtyre politikave kërkon sisteme të forta menaxhimi e kontrolli, ndaj edhe sipas tij duhen respektuar e zbatuar rregullat e përbashkëta të BE për politikat e cilësisë, bujqësisë dhe sigurisë ushqimore. Z. Balla shtoi po ashtu se siguria ushqimore, duke qenë e lidhur drejtpërdrejtë me shëndetin e të gjithë konsumatorëve, duhet parë si prioritare edhe përtej të qenit rekomandim i BE-së. Ai i cilësoi megjithatë rekomandimet si udhërrëfyes të rëndësishëm dhe shprehu besimin te motivimi i anëtarëve të KKIE-së për t’i adresuar secilin prej tyre. 

Ministrja Ekonomi, e ndërtoi raportimin e saj të lidhur me secilin prej rekomandimeve të dala, sipas kapitujve përkatës të negociatave, 11, 12 dhe 13, lidhur me raportin e progresit të 6 tetorit 2020, dhe konkretisht fushat e lidhura ngushtë me veprimtarinë dhe përgjegjësinë e ministrisë që ajo drejtonte.  Duke i marrë rekomandimet radhazi, ministrja raportoi se lidhur me rekomandimin për një regjistër fermash dhe regjistër kafshësh, si edhe për një plan zbatimi për të dhënat e fermave, MBZHR ka nisur projektin e dhënies së naftës pa akcizë për fermerin. Për çdo fermë, 54-56 Litra për çdo 100 Litra fermeri i merr falas. Në momentin e aplikimit ai duhet të ketë NIPT-in dhe një parcelë të regjistruar, kështu ndihmon edhe në regjistrimin kombëtar të fermave, sipas modelit AJAX. Te shtylla e tretë, pas fermerit dhe parcelës, te kontabiliteti, Ministria ka kërkuar asistencë nga FAO për t’u pilotuar si proces.  Ministrja Ekonomi u ndal edhe te rëndësia e pranisë së instrumentit IPARD-it në Shqipëri, i cili sapo ka përfunduar thirrjen e tretë të programit, ku 369 fermerë kanë aplikuar për të marrë mbështetje dhe ku po kryhet faza e vlerësimit. IPARD-i në Shqipëri, sipas ministres, është i rëndësishëm sepse rrit kapacitetet teknike pranë AZHBR-së në momentin e vlerësimit dhe monitorimit të projekteve. IPARD-i dëshmon më së miri që Shqipëria dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë të afta të thithin fonde më mirë se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor. Lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të dala për kapitullin 11, ministrja Ekonomi përmblodhi se Shqipëria po bëhet gati të ngrejë regjistrin me instrumentet e veta dhe se IPARD-përbën një dokument të rëndësishëm suksesi, pasi Shqipëria ka harxhuar pjesën më të madhe të fondeve. Në lidhje me një tjetër rekomandim, referuar fermave organike dhe nxitjen e tyre, ministrja shtoi se në vitin 2019 është miratuar ligji “për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, plotësisht i përafruar me legjislacionin europian dhe po ashtu edhe disa VKM dhe urdhra ministrash për ta bërë të zbatueshëm mekanizmin mbështetës. 125 ferma kanë aplikuar e ndër to, kanë lidhur kontratat 60 ferma. Ministrja shtoi se ritmi i rritjes së fermave shqiptare nga të zakonshme në ferma organike është shumë i kënaqshëm.

Lidhur me kapitullin 12, sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe fitosanitetitin, për rekomandimin e dale, që kërkonte riorganizimin e shërbimit veterinar për rritje efikasiteti dhe nivel përshtatjeje të kapaciteteve administrative, ministrja solli në vëmendje se më parë shërbimi veterinar ishte i copëzuar mes privatit dhe publikes, me hallka të palidhura zinxhiri. Tashmë, ajo shtoi se ky shërbim është konceptuar si një i vetëm, përmes një agjencie qendrore e organizuar në drejtori qendrore dhe rajonale, me 4 të tilla, nga niveli i atyre që japin shërbim për kafshët e gjalla dhe bimët, e deri edhe te niveli i dytë, që lidhet me inspektimet. Që nga matrikullimi i kafshës e deri te therja e saj në thertore, zinxhiri i saj nuk shkëputet. Të gjitha këto përmirësime janë orientuar përmes një sërë ligjesh, vendimesh të KM dhe urdhëresash ministrash. Ministrja u shpreh se sot MBZHR ka regjistrin e kafshëve RUDA, regjistër demografik dhe shëndetësor, që shtohet me informacione sa prej ministrisë, por që administrohet nga AKSH, duke u konsideruar aset kombëtar, duke u dhënë hapësirë në kohë reale të gjitha shërbimeve veterinare në vend te të dhënat. Në këtë pjesë, bëri me dije ministrja Ekonomi, BE mbështeti përmes asistencës teknike, nga ku AKU dhe ISUV ndihmohen nga një program i posaçëm i BE-së lidhur me kontrollet, funksionimin dhe pajisjen laboratorike të AKU-së dhe ISUV-it. Sot kapacitet e tyre janë të zgjeruara dukshëm, ku është krejt e mundur për më shumë analiza dhe teste, sipas ministres, që solli në vëmendje po ashtu se laboratorët në shërbim të ISUV-it i kanë ardhur në ndihmë edhe situatës së Kovidit, me mjete nga më modernet dhe bashkëkohoret. Ministrja, për garantimin e cilësisë, shtoi se nga 93,721 inspektime të AKU, është shkuar deri edhe në asgjësimin e 523 ton ushqime, 855 mijë vezë, 1200 kuti. Numri i analizave vjetore, sipas raportit të ministres, shkon në 10 mijë mostra e 18 mijë tregues, kjo për të patur në vëmendje situatën e tregut dhe për të mbrojtur jetën e konsumatorëve.

Lidhur me rekomandimet e dala për kapitullin 13, që përkon me fushën e peshkimit, ku BE ka rekomanduar hapa për administrim të sektorit të peshkimit dhe sigurimin e menaxhimit të duhur të burimeve të peshkimit, në linjë me strategjinë ndërkombëtare dhe detyrimet ndërkombëtare, ministrja u shpreh se në prill të vitit 2020 janë bërë ndryshime në ligjin e peshkimit, ndryshime të shoqëruara edhe me disa VKM. Këto ndryshime janë ndërmarrë për ta demokratizuar dhe liberalizuar drejt bashkive tërësinë e tregut të shitjes së produkteve të peshkimit. Gjithashtu, sa i afron peshkimit, edhe përgjatë 2019-s disa përmirësime, që synonin përafrimin me acquis. Inspektorati është shkrirë me portet e peshkimit, për të tërhequr më shumë ekspertizë, është ngritur drejtoria e peshkimit dhe akuakulturës për të mundësuar ndjekjen e rekomandimeve te BE-së lidhur me peshkimin artizanal. Ministrja u shpreh se, ashtu si sektori i bujqësisë, në 2020-n edhe peshkimi ka luajtur rol pozitiv.  Eksporti përgjatë 2020-s ishte 16.3 ton, 17.2% i përmirësuar nga viti paraardhës. Ministrja shtoi po ashtu se janë bërë përmirësime të flotës së anijeve të peshkimit, në përmasat e rekomandimeve të BE-së. Profesioni i peshkatarit, një profesion që kërkon më shumë nxitje, është bërë më i hapur për të ardhurit nga vende të rajonit të OECD-së, për ta fuqizuar forcën e punës në këtë sektor, ku siç pranoi znj. Ekonomi, mundësitë për rritje janë të shumta. Ministrja Ekonomi shtoi se është adresuar edhe një tjetër rekomandim, ai i riaktivizimit të sistemit të monitorimit të anijeve dhe forcimit të kapitullit të inspektimeve dhe kontrollit për të parandaluar peshkimin e paligjshëm, të parregulluar dhe të paraportuar.  Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raportoi se në MBZHR të 230 anijet e flotës së peshkimit e kanë sistemin “bluebox” të inkorporuar dhe se po vendoset lidhja satelitore për të monitoruar vendndodhjen e anijeve tona në kohë reale, si rezultat i bashkëpunimit të Ministrisë dhe AKSH-it për shërbimet online të Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të raportimit të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Nënkryetari Balla e konsideroi shterues paraqitjen e ministres Ekonomi. Z. Balla u shpreh se KKIE do te vijoje punën normalisht edhe pse po hyhet në periudhën zgjedhore, me qellim qe te ndiqet zbatimi i prioriteteve bazë të procesit të integrimit. Mbledhja e sotme, në vijim të zbatimit të masave protokollare antiCovid, u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit “Cisco Webex”. 


Share