Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 20/02/2021

Në drejtimin e kryetarit z. Anastas Angjeli, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në mbledhjen e sotme zhvilluar on line, mori në shqyrtim në cilësinë e komisionit përgjegjës projektligjin “Për Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (huamarrësi), dhe KFW Frankfurt am main (KFW), për programin e infrastrukturës bashkiake v, në shumën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) euro”.  Të  ftuar për të folur rreth përmbajtjes së marrëveshjes ishin përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe z. Flauers Shoshi, zv. Drejtor i Përgjithshëm i AKUM, i cili  sqaroi se “Qëllimi i programit infrastruktura bashkiake V është të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe përmirësimin e performancës së shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve të bashkive të përfshira në program”. Relatorja e projektligjit znj. Blerina Gjylameti sqaroi se, konkretisht, programi infrastruktura bashkiake V do të përfshijë bashkitë Shkodër, Lezhë, Kamzë, Berat, Kuçovë, Elbasan, Fier, Vlorë. Investimet që do të mbulohen nëpërmjet huas, sipas përcaktimeve në këtë projektligj, do të synojnë kryesisht ndërhyrjet që synojnë përmirësimin e aksesit dhe të qëndrueshmërisë më të madhe të trashëgimisë kulturore, pasurive natyrore si dhe përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë territorin e vendit në kuadër të planeve zhvillimore lokale. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët miratuan në tërësi projektligjin në fjalë. Në cilësinë e komisionit përgjegjës, mbledhja vijoi me shqyrtimin e  projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si autoritet kontraktues dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, INC, “Për një ndryshim në marrëveshjen e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.123/2013”, të ndryshuar”. E ftuar për të dhënë shpjegime rreth projektaktit ishte znj. Vasilika Vjero, zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Znj. Vjero, theksoi se qëllimi i marrëveshjes ishte lehtësimi i barrës financiare/buxhetore në buxhetin e vitit 2020, nga situata e krijuar nga pandemia. Për sa i përket detajeve teknike të marrëveshjes, znj. Vjero sqaroi: “Kjo gjë do të bëhet e mundur duke i lejuar autoritetit shtyrjen me 100% të pagesës së çdo kësti mujor të tarifës së shërbimit të secilës pikë operimi për muajt shtator, tetor, nëntor nga Tarifa Vjetore e Shërbimeve të Pikës së Operimit për vitin 2020 (në vijim referuar si “Periudha e Shtyrjes”). Gjithashtu, do të kemi një shtyrje të shlyerjes së detyrimit të mbetur nga kësti i muajit gusht për tarifën e shërbimit të një pike operimi, aktualisht në vlerën e papaguar 211,970 € nga e cila po të zbritet vlera e tarifës së koncesionit prej 2% e këtij kësti, vlera e mbetur e kësaj periudhe është 207,731€.”. Relatori Ervin Bushati vlerësoi marrëveshjen, veçanërisht impaktin e saj në kuadrin e situatës financiare të krijuar prej pandemisë dhe ftoi anëtarët ta miratonin atë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve marrëveshja në fjalë u miratua në tërësi Në përfundim komisioni mori në shqyrtim në cilësinë e komisionit përgjegjës edhe projektligjin “Për miratimin e shtesës të kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”. Znj. Elena Pici, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Brendshme, sqaroi për komisionin se me miratimin e këtij projektligji synohet ndryshim vizual i afatit të vlefshmërisë të kartave të identitetit që do të lëshohen për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç Gjithashtu, kjo kontratë e miratuar me këtë projektligj ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve nëpërmjet platformës e-Trust, duke përdorur shërbimet digjitale për verifikimin e identitetit në procesin e aplikimit për dokumentet e identitetit, në përputhje me ligjin nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar, dhe specifikimet e shtojcës 23 (Procesi i aplikimit i përmirësuar nëpërmjet shërbimeve digjitale për verifikimin e identitetit e-Aleat), e cila do të bëhet pjesë përbërëse e kontratës së koncesionit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX



Share