Kuvendi dhe UNFPA diskutojnë mbi çështje të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, grave dhe familjeve
- Postuar më, 19/02/2021

Kuvendi
dhe UNFPA, organizuan sot, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, një diskutim mbi
disa çështje të të drejtave të fëmijëve, grave dhe mbrojtjes së familjeve në
kushtet aktuale. Në këtë veprimtari morën pjesë znj. Vasilika Hysi, Zëvëndëskryetare
e Kuvendit dhe Zëvëndëskryetare e Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve; znj.
Eglantina Gjermeni, Kryetare e Nënkomisionit për Barazinë Gjinore dhe Zëvëndëskryetare
e Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve; z. Enver Roshi, Kryetar i Komisionit të
Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë dhe Zëvëndëskryetar i Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve. Nga UNFPA ishin
të pranishëm hartuesit dhe konsulentët e studimeve të realizuara, znj. Gentjana Qirjako,
Z. Genci Byrazeri, Znj. Dorina Tocaj dhe znj.Irida Agolli. Në takim ishte
e ftuar edhe Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca. Takimi u drejtua nga
znj. Vasilika Hysi.
Në fjalën e saj nw hapje
të takimit, znj. Hysi vuri theksin te gjetjet më të rëndësishme të raporteve të
studimeve të kryera, si përmirësimi i legjislacionit për fëmijët e dhunuar,
dhuna në familje dhe elementët e ndjeshmërisë gjinore në hartimin e legjislacionit etj. Znj. Hysi u
ndal gjithashtu në nevojën e forcimit të kontrollit parlamentar ndaj
institucioneve ligjzbatuese, për sa i përket fushës së zbatimit të të drejtave
të fëmijëve.
Znj. Gentiana Qirjako,
eksperte e shëndetit publik, prezantoi disa nga gjetjet e studimeve të kryera për
këto çështje, duke u fokusuar në sjelljen
shëndetësore të fëmijëve të moshës shkollore 11,13,dhe 15 vjeç, mirëqënien dhe
sigurinë e grave, parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave
dhe evidentimi i disa përvojave negative gjatë fëmijërisë. Znj. Qirjako nënvizoi
se duhet më shumë ndjeshmëri në politikëbërje, për të zbatuar legjislacionin
për të drejtat e fëmijëve dhe për parandalimin e dhunës seksuale dhe formave të tjera të dhunës.
Znj. Irida Agolli,
përfaqësuese e UNFPA, u ndal në rekomandimet për rishikimin e kuadrin ligjor,
sa i përket mbrojtjes së barazisë gjinore ndërmjet vajzave dhe djemve dhe
parandalimit e dënimit të veprave penale
të dhunës seksuale. Gjithashtu, znj. Agolli theksoi nevojën dhe dobinë e mirëfunksionimit
të Njësive për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe hartimin e
legjislacionit për elementët e ndjeshmërisë gjinore.