Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj Komisioni për
Sigurinë Kombëtare, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në
shqyrtim në parim projektligjin “Për miratimin e shtesës së kontratës “Për
prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave
elektronike” ndërmjet ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe
Grupimit të Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”. E ftuar
për të bërë argumentimin e këtij projektakti ishte znj. Rovena Kuko
zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme. Lidhur me qëllimin dhe përparësitë
e projejektligjit në fjalë, znj. Kuko tha se, me miratimin e këtij projektligji
synohet ndryshim vizual i afatit të vlefshmërisë të kartave të identitetit që
do të lëshohen për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç, sipas korrespondencës
që përmendet në paragrafin “E” të këtyre parashtresave, e pasqyruar në këtë
shtesë kontrate dhe në shtojcën e re 24 (Karta e identitetit për shtetasit që
mbushin moshën 75 vjeç), e cila do të bëhet pjesë përbërëse dhe thelbësore e
kontratës së koncesionit. Në cilësinë e relatores znj. Antoneta Dhima vlerësoi
kontratën dhe theksoi se: “Autoriteti ka rënë dakord të zbatojë një zgjidhje të
shpejtë që konsiston vetëm në një ndryshim vizual të afatit të vlefshmërisë të
kartave të identitetit që do të lëshohen për shtetasit që mbushin moshën 75
vjeç, sipas korrespondencës që përmendet në paragrafin “E” të këtyre
parashtresave, e pasqyruar në këtë shtesë kontrate dhe në shtojcën e re 24”. Pas
pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, komisioni miratoi në parim, nen për nen
dhe në tërësi projektin në fjalë.
Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës CISCO WEBEX