Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dy projektligje
- Postuar më, 18/02/2021

18 shkurt 2021
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit z. Ilir Beqaj shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje, në dy mbledhje të ndryshme të zhvilluara përgjatës ditës së sotme. Fillimisht, komisioni vijoi me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, për të cilin ishin ftuar në mbledhje znj. Jolanda Theodhori dhe znj. Luela Rama, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si dhe përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Më herët, komisioni kishte shqyrtuar një pjesë të neneve të projektligjit dhe në mbledhjen e sotme u vijua me shqyrtimin e pjesës tjetër të neneve, për të cilat ishte kërkuar më tepër kohë për diskutim. Përfaqësuesit e AMF-së iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve dhe pas diskutimeve e sugjerimeve për riformulimin e disa prej neneve, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projekligjin në fjalë.
Më pas, komisioni u mblodh për
shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Huas, ndërmjet
Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar mga Ministria e Financave dhe Ekonomisë,
(huamarrësi), dhe Kfë Frankfurt Am Main (Kfë), për Programin e Infrastrukturës
Bashkiake V, në shumën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) euro”. Të ftuar për
prezantimin e nismës ishin znj.Elona Mistrovica, përgjegjëse e Sektorit të
Sigurimit të Ndihmës së Huaj dhe
Marrëveshjeve në Ministrinë e
Financave dhe Ekonomisë dhe z. Flauers Shoshi, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në
Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së
Mbetjeve.
Z. Shoshi gjatë prezantimit sqaroi se
qëllimi i Programit Infrastruktura Bashkiake V është përmirësimi i sistemit të
furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe i performancës së shoqërive të
ujësjellës-kanalizimeve në 8 bashki të vendit të përfshira në program. Sipas tij
përcaktimi i bashkive është bërë sipas prioriteteve të Masterplanit Kombëtar të
Ujësjellës-Kanalizimeve, si dhe nevojës për mbështetje buxhetore për të
përmbyllur investimet e kryera në fazat e mëparshme të programit dhe më konkretisht
në bashkitë: Shkodër, Lezhë, Kamzë, Berat, Kuçovë, Elbasan, Fier dhe Vlorë. “Përveç
investimeve që do të bëhen nëpërmjet marrëveshjes me KfË paralelisht ne po ecim
edhe me investimet tona. Në shumë qytete siç është Vlora, Elbasani, Berati dhe
Fieri, në harmoni me investimet nga buxheti i shtetit, këto investime mbyllen
100% dhe në këto qytete furnizimi me ujë do të jetë 24 orë”, theksoi z. Shoshi.
Më tej znj.Mistrovica paraqiti për deputetët normat e interesit dhe kushtet e
huasë. Pas pyetjeve dhe komenteve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në
tërësi projektligjin në fjalë.
Mbledhjet e sotme e komisionit u
zhvilluan nëpërmjet platformës së komunikimit online “Cisco Webex”.