Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi 3 projektligje dhe një projektvendim

  • Postuar më, 26/01/2021

26 janar 2021

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit z.Ulsi Manja , shqyrtoi dhe miratoi 3 projektligje dhe një projektvendim. Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projektligji  “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin për parandalimin e evazionit fiskal, ratifikuar me ligjin nr. 62/2014”. Në mbledhjen e Komisionit për paraqitjen e projektligjit ishte i pranishëm z. Nikolla Lera, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Makroekonomike dhe Çështjeve Fiskale, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, i cili  sqaroi se nisma krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë  shqiptarë apo kosovarë, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që janë objekt i legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve. Sipas z.Lera, protokolli ndryshues i marrëveshjes me Kosovën synon të zgjidhë problematikën e zbatimit në praktikë të taksës mbi Dividendin në rastin e selive reciproke në të dy vendet dhe sa është përqindja e këtij taksimi; të përditësojë disa nene të rëndësishme referuar teksteve të përditësuar të model-marrëveshjeve ndërkombëtare të UN dhe OECD, etj. Z. Bashkim Fino në cilësinë e relatorit pasi vlerësoi rëndësinë e nismës, vlerësoi se është paraqitur në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Pas pyetjeve, komenteve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. Më tej po në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë për vitin 2019, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II)”. Në mbledhjen e komisionit ishin ftuar: z. Ami Kozeli, këshilltar i Kryenegociatorit për aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE dhe znj. Daniela Cekani, drejtoreshë e Koordinimit të Programeve Kombëtare dhe Rajonale të IPA-s. Z.Kozeli bëri një prezantim të përmbledhur lidhur me qëllimin e projektligjit dhe përmbajtjen e marrëveshjes së financimit për programin e veprimit IPA 2019 për Shqipërinë, e cila është miratuar në parim nga ana e Këshillit të Ministrave me vendimin nr. 949, datë 2.12.2020.  Relatori, z. Alket Hyseni vlerësoi përputhshmërinë ligjore dhe kushtetuese të projektligjit dhe theksoi rëndësinë sociale që ka Programi Vjetor Kombëtar. Pas diskutimeve, Komisioni miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi. Më tej u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e Protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, e nënshkruar në Tiranë më 14 janar 2009, ratifikuar me ligjin nr. 10094, datë 12.03.2009”, i cili u prezantua nga z. Nikolla Lera, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave Makroekonomike dhe Çështjeve Fiskale, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Z.Lera sqaroi se ky projektligj ka për qëllim ratfikimin e protokollit i cili amendon marrëveshjen e datës 14 janar 2009, ndërmjet qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Republikës së Shqipërisë, për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin.  Deputeti Bashkim Fino në cilësinë e relatorit vlerësoi ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore, për të avancuar më tej në zhvillimin social-ekonomik të vendit duke u përqendruar në shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin.  

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë. I fundit në rendin e ditës, ishte projektvendimi “Për ndryshimin në strukturën dhe Organikën e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri”, i cili u shqyrtua në cilësinë e komisionit përgjegjës. Relatori, z.Bashkim Fino sqaroi se ndryshimet nuk parashikojnë efekte financiare shtesë dhe nuk lidhen me numrin total të punonjësve. Pas diskutimeve, komisioni miratoi projektvendimin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.



Share