Presidenti i Parlamentit Europian, Sassoli, përgëzon Kryetarin e Kuvendit Ruçi: Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit
- Postuar më, 22/01/2021
22 janar 2021
Presidenti i
Parlamentit Europian, z. David Sassoli, në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, e
falenderon për prezantimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë mbi “Hapjen e
negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe miratimin e
planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i
Bashkimit Europian”. “Kam ndjekur nga afër përparimin që
ka bërë Shqipëria drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian. Raporti i
Komisionit Europian pasqyron përparimin që ka bërë vendi Juaj drejt plotësimit
të kritereve të përcaktuara nga Këshilli në konkluzionet e tij të datës 26 mars
2020. Vlerësoj angazhimin e autoriteteve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë
ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian. Të jeni të sigurtë se Parlamenti
Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt
integrimit në BE. Vlerësoj bashkëpunimin midis Parlamentit Europian dhe
Kuvendit të Shqipërisë, ndër të tjera bashkëpunimin në kuadër të Komitetit
Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri dhe jam i bindur se ky bashkëpunim
do të rritet në mënyrë progresive në të ardhmen.”, shkruan në letrën e tij
drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Presidenti i Parlamentit
Europian, z. David Sassoli.