Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, urim me rastin e vitit të ri 2021: T’i lemë të treten kujtimet e një viti të thyer, në horizont po vijnë ditë të bukura për të gjithë
- Postuar më, 31/12/2020

31 dhjetor 2020
Kryetari i Kuvendit, z.
Gramoz Ruçi, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e vitit të ri 2021.
“Pas një viti të vështirë
që lamë pas, le të jetë viti 2021 një vit normal, me shëndet, gëzim e mirëqenie
për të gjithë. 2020 u thye sa pa nisur mirë, për shkak të pandemisë që pushtoi
globin. Pas dy muajve normal, dhjetë të tjerët ishin një sfidë e vështirë që
ndodh njëherë në shekull. Por shqiptarët, ashtu si edhe gjithë njerëzimi,
mbijetuam dhe po e mundim të keqen. Ekonomia mbijetoi në saj të sakrificave të
fermerëve, ndërtuesve dhe turizmit. Sistemi shkollor mbijetoi në saj të përkushtimit
të mësuesve, nxënësve, studentëve e prindërve. Sistemi shëndetësor u bë
avangarda e shërbimeve publike dhe shpëtoi mijra jetë njerëzore, në saj të
titanizmit të mjekëve e infermierëve, këtyre promethenjve të shëndetit. Për të
gjithë shpreh sot mirënjohjen dhe urimet e mia më të përzemërta. Dashuria njerëzore,
solidariteti dhe humanizmi u shfaqën si rrallë ndonjëherë në historinë tonë dhe
të njerëzimit. Të goditur, por të paepur; të mbyllur në vatrat familjare, por
me zemra të hapura; të prekur në të ardhurat e kursimet, por jo në bujarinë tonë;
të kufizuar nga kënaqësitë e jetës, por optimistë se po hyjmë në një vit që do
të jetë i bukur sepse do të jetë normal. Le t’i lemë të treten kujtimet e vështirësive
që kaluam dhe të gëzojmë se në horizont po duken ditë të bukura për të gjithë!”,
shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.