Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli, priti Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shtetit të Katarit, z. Ali Bin Hamad Al-Marri
- Postuar më, 28/12/2020

28 dhjetor 2020
Kryetarja e
Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli, priti në
Selinë e Kuvendit, Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shtetit të Katarit
në Republikën e Shqipërisë , z. Ali Bin Hamad Al-Marri, me kërkesë të këtij të
fundit.
Gjatë takimit Ambasadori Ali Bin Hamad Al-Marri i dorëzoi
znj. Kodheli një kërkesë për mbështetje të nismës së Katarit për hapjen e një
Qendre Rajonale trajnimi për operacionet paqeruajtëse nën ombrellën e NATO-s.
Qendra do të kontribuojë në përballimin e sfidave të përbashkëta në krye të të
cilave qëndron terrorizmi. Ajo synon forcimin e bashkëpunimit në zbatimin e
programeve të partneritetit në fushat e sigurisë kibernetike, menaxhimit të
krizave, sigurisë energjetike, incidenteve dhe emergjencave kimike, biologjike,
radiologjike e bërthamore, si dhe planifikimin për emergjencat civile.
Zonja Kodheli i shprehu Ambasadorit përgëzimet për
kontributin e Katarit në favor të paqes e sigurisë në rajon e më gjerë dhe u
shpreh se do ta shqyrtonte me shumë kujdes nismën e Katarit për krijimin e
Qendrës.
Më tej bashkëbiseduesit biseduan mbi rëndësinë e
forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, rritjes së investimeve të Katarit në Shqipëri,
si dhe mbi promovimin e bashkëpunimit ndërparlamentar midis dy vendeve.