Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, letër krerëve të Drejtësisë dhe Policisë: Zbatoni me rigorozitet dispozitat e Kodit Penal mbi dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave
- Postuar më, 27/11/2020

Në kuadrin e ditëve
të fushatës kundër dhunës ndaj grave, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u është drejtuar me një letër krerëve
të Drejtësisë dhe Policisë për zbatimin e legjislacionit kundër dhunës ndaj
grave e vajzave. Letra u është drejtuar znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Gent Ibrahimi,
Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm dhe z. Ardi Veliu,
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
“Kuvendi
i Shqipërisë, në dhjetor të vitit 2017, ka miratuar Rezolutën “Për dënimin e
dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave
ligjore për parandalimin e tij”.
Dhuna ndaj grave dhe
vajzave, si një nga format mbizotëruese të dhunës, është një dukuri globale që
prek të gjitha vendet, shoqëritë, komunitetet fetare dhe etnike. Parandalimi
dhe lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave është parakusht për një zhvillim
të qëndrueshëm, të barasvlershëm dhe përfshirës, si dhe një vlerë dhe objektiv
i rëndësishëm i qytetërimit të sotëm.
Në vitet e fundit, në
vendin tonë, ka pasur zhvillime pozitive lidhur me hartimin ose përmirësimin e
legjislacionit kundër dhunës në familje, që kanë përmirësuar ndjeshëm mënyrën
se si i trajtojnë institucionet rastet e dhunës kundër grave dhe vajzave dhe
dhunën në familje.
Por, pavarësisht
zhvillimeve pozitive, të dhënat për rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në
familje, tregojnë se dhuna është ende e pranishme dhe shfaqet në forma të
ndryshme deri tek më ekstremet, ku më së shumti viktima janë gratë dhe fëmijët.
Sipas raportit të GREVIO, dobësitë më të mëdha që prekin mekanizmat e referimit
kanë të bëjnë me mungesën e zbatimit të duhur të urdhrave të mbrojtjes dhe
urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes nga përmbarimi, përgjigjet e
papërshtatshme nga sistemi i gjykatave dhe një përfshirje e pamjaftueshme e
profesionistëve të shëndetit, përfshirë këtu mjekët ligjorë.
Kuvendi i Shqipërisë
vëren se sistemi i drejtësisë (policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale
në sistemin e drejtësisë penale) nuk ka qenë efektiv sa duhet lidhur me hetimin
dhe shqyrtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të zbatimit të drejtë të
dispozitave ligjore të Kodit Penal për dënimin e dhunuesve dhe ofrimin e
shërbimeve për viktimat.
Pavarësisht se qasja
holistike kundër dhunës ndaj grave nuk mund të mbështetet vetëm në sistemin e
drejtësisë penale, gjykatat duhet të jenë në një linjë me qëndrimin e vendosur
të ligjvënësit kundër dhunës dhe të ofrojnë një reagim të fuqishëm, duke
përfshirë edhe ndëshkimet. Kjo do të nxiste raportimin e mëtejshëm të rasteve të
dhunës në familje
Ndonëse ka një
përmirësim të qartë në respektimin e afateve të gjykimit të kërkesave për
lëshimin e urdhëra të mbrojtjes, ende shtyhen në mënyrë të panevojshme seancat
gjyqësore për vërtetimin dhe lëshimin e tyre. Shpejtësia dhe respektimi i
afateve, përbën një element thelbësor të gjykimit për urdhrat e mbrojtjes,
mosrespektimi i të cilave sjell humbjen e kuptimit të ligjit kundër dhunës në
familje dhe mund të vërë në rrezik viktimat.
Në këto kushte,
kërkoj nga ana juaj të merrni masat e nevojshme për zbatimin rigoroz të
dispozitave të Kodit Penal mbi dhunën në
familje dhe dhunën ndaj grave.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit,
z. Gramoz Ruçi.