Konferenca e Kryetarëve miratoi programin e punës për periudhën 30 nëntor-25 dhjetor 2020 dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 30 nëntor - 18 dhjetor 2020.

  • Postuar më, 25/11/2020

25 nëntor 2020

Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi dhe miratoi programin e punës  për periudhën 30 nëntor-25 dhjetor 2020 dhe kalendarin e  punimeve të Kuvendit për periudhën 30 nëntor - 18 dhjetor 2020.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, njoftoi Konferencën se në përgjigje të kërkesës së tij të datës 18 nëntor 2020, Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë, konfirmojnë se “Urdhëri nr. 633, datë 11.11.2020, “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, nuk cënon aktivitetin e Kuvendit për zhvillimin e seancave plenare. Seancat plenare duhet të zhvillohen duke ruajtur rregullat e distancimit social dhe mundësisht të kenë kufizime në kohëzgjatje.” Në këto rrethana, kohëzgjatja e seancave do të shkurtohet në tre orë. 

Konferenca vendosi zhvillimin e seancave plenare me datat 3 dhe 17 dhjetor 2020.

Konferenca vendosi t’i përcjellë seancës plenare kërkesën e një grupi deputetësh për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti mbi gjetjet dhe konkluzionet e verifikimeve të kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të APKiE Dick Marty mbi rolin e përfaqësuesve politikë dhe institucioneve publike shqiptare në ndihmë të të ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-së në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Konferenca e Kryetarëve u zhvillua me anë të mjetit të komunikimit elektronik Cisco Webex.


Share