Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi strukturën organizative të personelit me kohë jo të plotë pune të KQZ-së

  • Postuar më, 24/11/2020

24 nëntor 2020

 

Komisioni për çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi një projektligj dhe strukturën organizative të punonjësve të përkohshëm, që do të rekrutohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Për këtë të fundit, të pranishëm në seancën dëgjimore on-line ishin z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve dhe znj.Mimoza Dhëmbi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. 

Z.Celibashi argumentoi nevojën e KQZ për rekrutimin e përkohshëm të 347 punonjësve, që sipas tij janë vetëm 5 më tepër nga punonjësit e rekrutuar në procesin zgjedhor të vitit 2017. Më tej z.Celibashi sqaroi se personeli që do ti shtohet KQZ-së, do të jetë i organizuar sipas strukturës dhe organikës së re, që u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë përpara disa javëve dhe do të jenë: specialistë juristë, specialistë IT, specialistë të trajnimit, edukimit të zgjedhësve, specialistë të burimeve njerëzore e të shërbimeve të logjistikës, operatorë, etj. Deputetja Klotilda Bushka gjatë relatimit të saj vlerësoi se kërkesa e KQZ është e drejtë, duke theksuar se: “është një detyrim që e kemi nga Kodi Zgjedhor që të pajisim KQZ me punonjës me kohë jo të plotë pune, në mënyrë që të realizohen të gjitha halllkat e procesit zgjedhor”. Në përfundim të diskutimeve, me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje, Komisioni miratoi strukturën organizative të personelit me kohë jo të plotë pune të KQZ-së.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projekligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, nismë e deputetit Alket Hyseni. Të ftuar në mbledhje nga Ministria e Drejtësisë ishin zëvendësministri z. Klajd Karameta dhe z.Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit, si dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, z. Kujtim Luli.

Deputeti Adnor Shameti gjatë relatimit të tij sqaroi se ndryshimi që propozohet ka të bëjë me një nen të ri që mbulon fushën e marrëdhënieve të Prokurorisë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Ky nen synon të plotësojë mungesën e informacionit për veprat penale në fushën e zgjedhjeve pasi evidentohet se çështjet penale zgjaten me vite në hetim dhe gjykim dhe publikut nuk i bëhet me dije veprimtaria e institucioneve për hetimin dhe përfundimin e gjykimit apo ekzekutimit të tyre”, sqaroi z.Shameti, duke shtuar më tej se nisma i është nënshtruar procesit të konsultimit publik me një sërë institucionesh dhe organizatash vendase dhe ndërkombëtare. Pas diskutimeve, komisioni vendosi shtyrjen e shqyrtimit në parim të nismës në mbledhjen e radhës. 


Share