Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut rrëzoi dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit “Për gjendjen civile”

  • Postuar më, 18/11/2020

18 nëntor 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dekretin presidencial për kthimin e ligjit “Për gjendjen civile” për rishqyrtim në Kuvend, si dhe projekligjin “Për prokurimin publik”. Fillimisht u shqyrtua Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11812, datë 5.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 130/2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 10129, datë 11.05.2009, “Për gjendjen civile” të ndryshuar”, për të cilin ishin ftuar: z. Bledar Dervishaj, Këshilltar i Presidentit për Çështjet Ligjore dhe znj. Katrin Treska, Drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Juridike në Presidencë.  Z.Dervishaj parashtroi argumentat e Presidentit për mosdekretimin e ligjit,  ku mes të tjerash u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka zgjedhur mënyrën më të mirë dhe të balancuar përkundrejt interesit publik, për të materializuar arritjen e qëllimit që synon të arrijë përmes kësaj ndërhyrjeje legjislative.  “Një ndryshim i tillë në një fazë të tillë të procesit parazgjedhor ka potencialin për të krijuar kaos edhe në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vetë procesit zgjedhor në tërësi “, u shpreh z.Dervishaj.

Deputetja Vasilika Hysi gjatë relatimit u shpreh se argumentat e sjella nga Presidentit nuk qëndrojnë dhe nuk kanë karakter ligjor dhe kushtetues, por janë më së shumti argumenta që lidhen me situatën politike. “Ligji kthehet për rishqyrtim kur përmbajtja e tij bie ndesh me Kushtetutën, pra unë vlerësoj se të gjitha argumentat duhet të jenë ligjorë, duhet të jenë kushtetues, por aspak politikë”, theksoi znj.Hysi, duke sqaruar më tej se nuk është në tagrin e Presidentit të Republikës që të vlerësojë vullnetin e ligjbërësit dhe mekanizmin që zgjedh për sa kohë që ky mekanizëm është në përputhje me Kushtetutën dhe me procedurën parlamentare.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni votoi për rrëzimin e dekretit Presidencial dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës. Rendi i ditës së komisionit vijoi me shqyrtimin nen për nen të projekligjit “Për prokurimin publik”, i cili u relatua nga deputetja Klotilda Bushka. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: znj. Reida Kashta, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, z. Jonaid Myzyri, Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik.  Pas pyetjeve, diskutimeve dhe sugjerimeve për riformulimin e disa neneve të caktuara, komisioni shqyrtoi dhe miratoi një pjesë të neneve të projekligjit, për të vijuar shqyrtimin në tërësi në mbledhjen e radhës. Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit “Cisco Webex”. 


Share