Seanca plenare miratoi sot katër projektligje, një projektvendim dhe një rezolutë

  • Postuar më, 22/10/2020

22 tetor 2020

Seanca e sotme plenare shqyrtoi dhe miratoi sot katër projektligje dhe një projektvendim. Projektligjet e miratuara ishin: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.440 datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” të ndryshuar””; “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10242, dt. 25.02.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”; “Për ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s për realizimin e projekteve të Kuçovës të financuara nga Programi i Investimeve të NATO-s për Sigurinë vitet 2019- 2022” dhe “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile” të ndryshuar”. Gjithashtu, sot u miratua edhe projektvendimi “Për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave”. Siç u raportua më herët në këtë faqe, në unanimitet seanca e sotme pati miratuar edhe projektrezolutën "Per miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizimin përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit". 

Në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.440 datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” të ndryshuar””, diskutantët e mazhorancës dhe opozitës parlamentare, në fjalët e tyre, ranë dakord se ndërhyrja në ligj sillte përmirësimin dhe forcimin e detyrimeve që lidhen me mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri. Gjithashtu, në fjalët e tyre, u pa si hap pozitiv ngritja e sistemit të vetëmonitorimit të ndikimeve në mjedis dhe përcaktimi i kundërvajtjeve administrative dhe sanksioneve në rast të moszhvillimit të procedurës vetëmonitoruese. Në përfundim të diskutimeve, projektligji u votua me 89 vota pro, 16 kundër dhe 6 abstenim.

Seanca e sotme shqyrtoi edhe dy nismat “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10242, dt. 25.02.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, sipas të cilave, periudha e komunizmit, objekt i këtij ligji, nuk mund të jetë periudha përpara datës 28 nëntor 1944. Përmes këtyre nismave bëhej edhe përcaktimi i kritereve që duhet të plotësojnë punonjësit e institutit. Zërat e opozitës parlamentare e kundërshtuan këtë nismë, duke e cilësuar si përpjekje për ndryshim historie për përcaktimin e periudhës historike, padrejtësi, shtrembërim dhe kërkuan tërheqjen e kësaj iniciative, konsultimin me akademikë dhe historianë. Sipas tyre, nevojitej një studim i mirëfilltë dhe periudha 8 nëntor 1941- 29 nëntor 1944, që nga krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare, duhej përfshirë në studim dhe fushën e veprimtarisë së ISKPKSH. Në përfundim të diskutimeve, gjithsesi, të dy nismat që do të integrohen në një të vetme, morën mbështetjen 83 dhe 84 vota pro.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 16/2018 “Për Diasporën”” të ndryshuar””, nismë e deputetit Vasil Sterjovksi, që kishte për qellin kujdesin dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Diasporës me pjesëtarët e Diasporës shqiptare, të cilët i përkasin pakicave kombëtare, nuk gjeti miratimin në parim duke u rrëzuar me 84 vota kundër.

Seanca shqyrtoi edhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile” të ndryshuar”, nismë e deputetëve të Partisë Socialiste, Hysko dhe Gjylameti. Deputeti Eljo Hysko, e vuri theksin te rëndësia e regjistrimit të saktë si sfidë para dinamikave të lëvizjeve të shumta. Ai shtoi se ky projektligj ndihmon që qytetarët të mos privohen nga shërbimet në vendet ku jetojnë dhe se ndryshimet ua lehtësojnë regjistrimin duke ua hequr penalitetet e mëparshme. Projektligji u miratua me 90 vota pro, 17 kundër dhe 4 abstenim.

Seanca shqyrtoi e më pas miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s për realizimin e projekteve të Kuçovës të financuara nga Programi i Investimeve të NATO-s për Sigurinë vitet 2019- 2022”. Diskutantët, duke e vënë theksin te investimi i parë i këtij lloji nga NATO në territorin e Republikës së Shqipërisë, e konsideruan këtë si shenjë vlerësimi dhe mirëbesimi për angazhimin cilësor të palës shqiptare në aleancë. Projektligji, në përfundim të diskutimeve, mori 106 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim.

Seanca e sotme miratoi projektvendimin “Për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave”, duke miratuar kandidaturën e znj. Elsa Dhuli me 89 vota pro.  Më herët, siç kemi raportuar në faqen tonë, seanca e sotme pati miratuar në unanimitet projektrezolutën "Per miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizimin përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit" dhe pati zhvilluar edhe një interpelancë të kërkuar nga një grup deputetësh me ministren e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj. Seanca, në vijim të respektimit të masave protokollare anti-Covid, u zhvillua në kushtet e mëparshme të mbrojtjes së shëndetit.

 


Share