Kuvendi miratoi rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”

  • Postuar më, 22/10/2020

Sot Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, propozuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, dhe deputetja Blerina Gjylameti.

Rezoluta mbështetet në përcaktimin e kësaj Aleance, e cila bashkon qeveritë dhe ekspertët për avancimin e vlerave që përkujtojnë Holokaustin, sipas deklaratës së Stokolmit të vitit 2000.

Përkufizimi dënon ndjenjat e urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe johebrenj,  komuniteteve, pronave dhe institucioneve komunitare e fetare të hebrenjve, si edhe perceptimet denigruese ndaj tyre, përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarte të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit.

Miratimi i Rezolutës ndodh vetëm pak ditë para organizimit prej Kuvendit të Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit,  të Forumit të parë Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit.

Forumi do të zhvillohet më 28 tetor dhe synon të krijojë një front të bashkuar të vendeve ballkanike për të punuar bashkarisht kundër anti-semitizmit.

Në Forum do të marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të rajonit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, përfaqësues të Parlamentit të Bosnje-Herzegovinës, si edhe zyrtarë të lartë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli.

Në prag të Forumit, z. Robert Singer, Këshilltar i Lartë i Lëvizjes Kundër Anti-Semitizmit dhe Kryetar i Qendrës për Impaktin e Hebrenjve, u shpreh: “Vendimi i Shqipërisë për të miratuar përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit dhe të mbajë një qëndrim të fuqishëm dhe të qartë kundër anti-semitizmit reflekton fuqishëm karakterin e hapur, divers, tolerant dhe demokratik të Shqipërisë.  Ky veprim u dërgon një mesazh vendeve të tjera të rajonit  se në një shoqëri të denjë e të drejtë nuk ka vend për anti-semitizmin dhe për asnjë shfaqje tjetër të racizmit. Forumi Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit na jep ne mundësinë që të ndërmarrim hapa ptaktikë drejt shndërrimit të këtyre ndjenjave në realitet.

Gjatë fjalës së tij para miratimit të Rezolutës, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u shpreh:Është një lajm  i  mirë që ne, shqiptarët dhe popujt e Ballkanit Perëndimor, rajonit që ka vuajtur si rrallë ndonjë kënd tjetër i botës, pasojat e pikëpamjeve e qëndrimeve etno-centriste e fetaro-centriste, i bashkohemi ketij veprimi emancipues të qytetërimit bashkëkohor: luftës kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që përgjatë historisë kanë mbrojtur hebrenjtë nga shfarosja dhe i mbështesin ata sot kundër stigmatizimit, kanë të drejtë të krenohen. Por më shumë të drejtë kemi ne, shqiptarët sepse Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atdheu ynë, Shqipëria, në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë.” 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, nënvizoi se “Modeli pozitiv i Shqipërisë ku individë me prejardhje, besime dhe raca të ndryshme kanë gjetur gjithmonë një shtëpi të sigurt edhe në periudhat më të egra të regjimeve diktatoriale është një inspirim për shumë popuj. Kjo ishte e dukshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria hapi kufijtë e saj dhe siguroi azil për refugjatët hebrenj që po largoheshin nga gjenocidi. Deri më sot, populli shqiptar krenohet me këtë akt të drejtësisë dhe gjithmonë i ka çmuar marrëdhëniet e tij me popullin hebre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetin e Izraelit.”

 


Share