Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, thirret në interpelancë për sistemin e burgjeve

  • Postuar më, 22/10/2020

22 tetor 2020


Seanca e sotme plenare nisi me thirrjen në interpelancë të ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, për situatën në sistemin e burgjeve, kërkuar nga një grup deputetësh, z. Maliqi, z. Roshi, znj. Topi, znj. Dhimitri, z. Shtjefni, z. Alimadhi dhe z. Piciri. Ministrja u thirr për dhënien e shpjegimeve lidhur me situatën e burgjeve shqiptare. Parashtrimin e kërkesë-interpelancës e bëri z. Lefter Maliqi.

Z. Maliqi kërkoi të dijë më tepër nga ministrja për disa çështje: plotësimin e kërkesave të të burgosurve grevistë, shkeljet ligjore të pretenduara nga ai gjatë emërimeve, transferimeve të stafit dhe dëmin e pretenduar prej z. Maliqi, që këto ndryshime i kanë sjellë shtetit vendimet e gjykatave për dëmshpërblimet e zyrtarëve dhe punonjësve të liruar padrejtësisht, si edhe emërimet e reja, sipas deputetit parashtrues, klienteliste. Z. Maliqi ngriti edhe pretendimin për fenomenin e korrupsionit në sistemin e burgjeve.

Ministrja Gjonaj, në përgjigjen e saj, u shpreh se sistemi i burgjeve ka pësuar reformim tërësor, sa i takon krahasimit me  gjendjen e burgjeve që ajo, si drejtuese, gjeti të trashëguar në disa drejtime: të buxhetit, trajtimit të stafit, trajtimit të të dënuarve, infrastrukturës dhe cilësisë së stafit. Ministrja u shpreh se në sistemin pentinenciar punët janë bërë me rezultate të larta e të vlerësuara nga qytetarë, partnerë ndërkombëtarë dhe nga shoqëria civile, që monitorojnë vijueshmërisht me kapacitete profesionale.

Ministrja Gjonaj iu referua edhe progresraportit të BE-së për vitin 2020, ku këto arritje janë vlerësuar. Ministrja u ndal te miratimi i 4 ligjeve të sistemit pentinenciar, të koordinuara hap pas hapi me partnerët ndërkombëtarë, kanë bërë të mundur respektimin e të drejtave të të burgosurve.

“Sistemi 41 bis, ka shënuar një kthese te jashtëzakonshme duke ndërprerë lidhjet e krimit... Filtri i sigurisë në burgje i rritur...Raste arrestimi të punonjësve të policisë, 937 kallëzime penale, nga të cilët 295 punonjës të policisë së burgjeve në 3 vjet. 5-fishim të numrit të punonjësve të kallëzuar në krahasim me periudhën e kaluar”,-raportoi ministrja Gjonaj. Ajo shtoi se kapacitetet profesionale janë rritur e se problematika e stafeve është zgjidhur, përmes rekrutimeve meritokratike, rritjes së pagave dhe përmirësimeve infrastrukturore, përfshirë edhe uniformat e reja. Znj. Gjonaj shtoi zotimin e saj që pagat e punonjësve të policisë së burgjeve të barazohen me punonjësit e Policisë së Shtetit dhe se rritja e pagave të tyre është e vijueshme. Ministrja shtoi po ashtu se policëve të burgjeve, përveçse u është rritur paga 11%, u garantohet karriera, grada dhe trajtimi profesional, duke qenë edhe me ligj të mbrojtur nga transferimet jo më larg se 45 kilometra.

Ministrja Gjonaj raportoi lidhur me pretendimin për vendime të padrejta me dëm në buxhet të shtetit, të ngritur si shqetësim nga z. Maliqi. “Lëvizjet e padrejta kane marre fund. 70% ulja e dëmeve nga vendimet gjyqësore. Në 2016-n ishin dëmet   126 mln Lekë, në 2020-n 19 mln Lekë, ku kryesisht janë borxhe nga paraardhësit. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka fituar 60% të proceseve gjyqësore”,- tha ministrja e Drejtësisë.

Në përfundim të interpelancës, seanca vijoi me pikat e tjera të parashikuara në rendin e diskutimeve të ditës.

 


Share