Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim ndryshimet në ligjin “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 16/10/2020

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në cilësinë e komisionit per dhënie mendimi, mori në shqyrtim Projektligjin : “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 7895, datë 27.1.1995”Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar 

Për të bërë prezantimin e ndryshimeve te propozuara të ftuar ishin z. Klajd Karameta zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë, z. Besmir Beja Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit dhe z. Juljan Hodaj zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme

Z. Karameta shpjegoi se domosdoshmëria e ndryshimeve të Kodit Penal lindi si rezultat i situatës me të cilën u përball vendi ynë pas fatkeqësisë natyrore që ndodhi më 26 nëntor të vitit 2019, situatë e cila nxori në pah mangësi në kuadrin ligjor penal, në drejtim të përcaktimit të përgjegjësisë penale të subjekteve që gjenden të përfshira në procesin e ndërtimit të një objekti të caktuar, sipas destinacionit përkatës. “Konkretisht” sqaroi z. Karameta “Kodi Penal paraqet vakum ligjor në drejtim të identifikimit të përgjegjësisë penale dhe ndëshkueshmërisë së subjekteve ndërtuese që veprojnë në haptazi në kundërshtim me rregullat e ndërtimit, të urbanistikës apo rregulla të tjera të posaçme që i përkasin në terësi procesit të ndërtimit, duke përfshirë këtu përfitimin e lejes së ndërtimit, problemet gjeologjike që lidhen me truallin ku do të ndërtohet objekti, cilësinë e materialeve të përdorura, mbikëqyrjen dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit, zbatimin e objektit në ndërtim, etj”

Znj. Elena Xhina në cilësinë e relatores theksoi nga ana e saj boshllekun ligjor te evidentuar ne ligjin e meparshem dhe u shpreh per rëndësinë e këtyre ndryshimeve në funksion të garantimit të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të personave si dhe pronës publike e private “ në mënyrë që subjektet e posacme të marrin ndëshkimin sipas kodit penal nëse nuk kanë treguar kujdesin e duhur në kryerjen e detyres dhe kjo ka sjellë si pasojë shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të objektit” tha znj.Xhina

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim projektligjin ne fjalë


Share