Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike vizitë monitoruese pranë institucionit të Avokaturës së Shtetit

  • Postuar më, 15/10/2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut më datë 14 tetor zhvilloi një vizitë monitoruese pranë institucionit të Avokaturës së Shtetit, me qëllim njohjen me problematikat mbi  ekzekutimin  e  vendimeve  të Gjykatës  Europiane  për  të  Drejtat  e Njeriut, masat e ndërmarra në këtë drejtim, si dhe për të vlerësuar zbatueshmërinë e ligjit nr. 10 018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar.

Anëtarët e Komisionit u pritën nga Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, znj. Enkelejda Muçaj, e cila fillimisht i njohu ata me godinën, ambientet e punës, si dhe vështirësitë e hasura në punën e avokatëve të shtetit dhe stafit të këtij institucioni.

Më pas vizita u fokusua në dy çështjet për të cilat Komisioni organizoi vizitën monitoruese.

Së pari, lidhur me ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës  Europiane  për  të  Drejtat  e Njeriut znj. Muçaj informoi hollësisht lidhur me masat konkrete të ndërmarra nga qeveria lidhur me problematikën e konstatuar nga GJEDNJ për tejzgjatje në kohë të procedurave gjyqësore, e cila me vendimin gjysëm pilot ¨Luli kundër Shqipërisë¨, e ka konstatuar si një mangësi serioze të sistemit ligjor shqiptar. Më konkretisht masat e ndërmarra në këtë drejtim janë: a)ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile dhe parashikimin e mjeteve efektive, të cilat mundësojnë ¨kompensimin¨ për dëmin e shkaktuar nga kohëzgjatja e paarsyeshme, si dhe përshpejtimin e procedurave në rastet kur çështja është në gjykim; b) kufizimet në rastet e dërgimit për rishqyrtim nga gjykatat më të larta në ato më ulta (nenet 467 dhe 467/a të K.Pr.Civile); punësimi i 12 nëpunësve për krijimin e një inventari të hollësishëm të afro 35,000 çështjeve të pazgjidhura, në mbështetje të problematikës së tejzgjatjes së procedurave në Gjykatën e Lartë dhe çështjet e prapambetura. Znj. Muçaj theksoi se masat legjislative të ndërmarra në kuadër të ekzekutimit të vendimit të GJEDNJ ¨Luli kundër Shqipërisë¨ nuk po japin rezultatet e pritura, për shkak të rezultateve të procesit të Vetting-ut. Ajo informoi anëtarët e komisionit lidhur me ecurinë e procesit të reformës në drejtësi në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe vakancat e krijuara nga procesi i Vetting-ut në gjykatat e faktit. Në zbatim të rekomandimeve të Komisionit për Avokaturën e Shtetit gjatë raportimit vjetor për ngritjen e kësaj problematike me të gjithë aktorët, të cilët mund të ndikojnë në përshpejtimin e proceseve të reformës në drejtësi, Avokatura e Shtetit ka përgatitur shkresat drejtuar institucioneve të përfshira në këtë proces për të siguruar informacionin e nevojshëm e për ta përcjellë atë brenda afatit të caktuar nga Komiteti i Ministrave.

Znj. Muçaj informoi hollësisht anëtarët e Komisionit mbi hapat e ndërmarra nga Avokatura e Shtetit, lidhur me vendimin e GJEDNJ “Beshiri kundër Shqipërisë dhe 11 kërkesa të tjera”.

Së dyti, lidhur me zbatueshmërinë e ligjit “Për Avokaturën e Shtetit”, znj. Muçaj ngriti shqetësimin se me ndryshimet ligjore të vitit 2018 pritej rekrutimi i avokatëve me eksperiencë të gjatë në fushën e gjyqësorit. Numri i avokatëve të shtetit është rritur, por në vlerësimin e saj, rekrutimet nuk janë ato më të mirat. Më tej ajo informoi se pavarësisht parashikimeve ligjore, nuk ishte dhënë asnjë shpërblim për avokatët e shtetit. Anëtarët e Komisionit kërkuan kryerjen e një analize nga Avokatura e Shtetit mbi arsyet pse nuk është zbatuar kjo dispozitë e ligjit për trajtimin financiar të avokatëve të shtetit, ndërkohë që çështjet e fituara për vitin 2019-2020, sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Avokatura e Shtetit  arrijnë shifrën 674,787,996 euro.

Në përfundim, kryetari i Komisionit, z. Ulsi Manja përgëzoi punën e kryer nga avokatët e shtetit dhe stafin e institucionit dhe i inkurajoi për një bashkëpunim më të mirë me prokurorinë, gjykatat, ASHK-në dhe institucionet e tjera shtetërore. Z.Manja siguroi mbështetjen nga ana e Komisionit në drejtim të kapërcimit të vështirësive të hasura në punën e tyre.


Share