Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë vizitë në Spitalin Rajonal të Lezhës

  • Postuar më, 14/10/2020

Në drejtimin e kryetarit z. Enver Roshi, anëtarët e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilluan dje një vizitë në Spitalin Rajonal të Lezhës. Takimi i zhvilluar në Shërbimin e mamografisë, në kuadër të muajit Tetor, muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit  kishte në fokus monitorimin e ecurisë së punës dhe progresit, një vit pas ofrimit të shërbimit të mamografisë në Spitalin Rajonal të Lezhës.Në takim të pranishëm ishin dhe Prefekti i Qarkut z. Gjok Jaku, Drejtoresha e DSHP Lezhë znj. Zoje Zefi dhe Drejtori i Spitalit Rajonal Lezhë z. Leon Kaza
Znj. Zefi bëri një ekspoze të numrit të ekzaminimeve dhe depistimeve gjatë periudhës së mamografisë së levizshme dhe periudhës kur shërbimi i mamografisë ofrohet në spital. Për sa i përket situatës së pandemisë, znj. Zefi theksoi se: ”Që nga fillimi i pandemisë janë bere rreth dy mijë tamponë; nga këto 351 raste kanë rezultuar pozitive 12 vdekje dhe rreth 10 shtrime në spital”
Për sa i përket qellimit tjeter te vizites se komisionit, atij te  kontrollit te zbatimit të akteve normative që Kuvendi ka miratuar, ne takim foli dhe Prefekti i Qarkut z.Gjok  Jaku
Aktet normative sipas z. Jaku kanë qenë në përgjigje të masave të marra ndaj Pandemisë Covid 19 dhe kanë patur impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin publik në rajonin e Lezhes. "Gjatë periudhës së pandemisë bashkëpunimi me strukturat shëndetësore përgjegjëse ka qenë në shkallën më të lartë të mundshme. Puna e Task Forcë-s e ka bërë më të lehtë jo vetëm monitorimin por edhe ndërlidhjen mes Shtabit të Emergjencës, strukturave të Task-Forcës dhe strukturave shëndetësore në tërësi” theksoi mes të tjerash Prefekti Jaku.
Më tej anëtarët vijuan me pyetje dhe diskutime rreth numrit të mjekëve në Qarkun Lezhë, kushteve të spitalit, numrit të ekzaminimeve me anë të mamografisë si dhe problematika të tjera të hasura gjatë periudhës së pandemisë.


Share