Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi ndryshimet në ligjin për “Për gjendjen civile”

  • Postuar më, 12/10/2020

12 tetor 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja në mbledhjen e radhës shqyrtoi projekligjet  “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile” të ndryshuar” dhe atë “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji i parë, nismë e dy deputetëve të grupit parlamentar socialist: znj.Blerina Gjylameti dhe z.Elio Hysko, u relatua nga znj.Vasilika Hysi.

Znj.Gjylameti gjatë prezantimit të nismës sqaroi se nëpërmjet amendimeve të ligjit ekzistues “Për gjendjen civile” synohet shfuqizimi i masës administrative të vendosur për mosregjistrimin e vendbanimit  të ri brenda një afati 30 ditor.  Sipas znj.Gjylameti, heqja e masës administrative do të sjellë rezultate të menjëhershme në përditësimin e Regjistrit të Gjendjes Civile, por dhe në adresimin dhe ndarjen më të mirë të investimeve publike në të gjithë vendin.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin zëvendësministrja e Brendshme, znj. Romina Kuko dhe z.Bledar Doracaj, Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile.

Znj. Kuko vlerësoi se ndryshimet e propozuara do të ndikojnë në motivimin e qytetarëve për të deklaruar adresën e saktë të vendbanimit dhe për pasojë përmirësimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.  Znj. Hysi gjatë relatimit të saj sqaroi se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.  Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projekligjin  “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile” të ndryshuar”.

Gjatë shqyrtimit të projekligjit  “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” ishin ftuar nga Ministria e Brendshme: z.Julian Hodaj, zëvendësministër  dhe z.Sokol Sheti, drejtor i Drejtorisë së Azilit, si dhe përfaqësues nga UNHCR.  

Z. Hodaj gjatë prezantimit të projektligjit u ndal tek risitë dhe nevoja e sjelljes së një ligji të ri, i cili synon përputhshmëri të mëtejshme me “acquis” të Bashkimit Evropian në fushën e azilit.

Mbajtja e të dhënave përmes regjistrit të azilit, hapja e mundësisë së bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare, përcaktimi i ndihmës juridike nga shteti shqiptar në rastet kur është e nevojshme, modifikimi i komisionit për Azilin dhe Refugjatët, ishin disa prej risive të nismës të paraqitur nga zëvendësministri Hodaj.

Pas pyetjeve, diskutimeve dhe komenteve, komisioni miratoi në parim projekligjin, ndërsa  shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi do të vijojë në mbledhjen e ardhshme.


Share