Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi një projektligj

  • Postuar më, 25/09/2020

25 shtator 2020

Komisioni për Politikën  e Jashtme, në drejtimin e kryetares, znj. Mimi Kodheli, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me bashkëpunimin për përdorimin e informacioneve mbi udhëtarët”. I pranishëm në komision për paraqitjen e projektligjit ishte zëvendësministri i Brendshëm, z. Besfort Lamallari. Për komisionin ky projektligj u relatua nga znj. Elona Gjebrea.

Zëvendësministri i Brendshëm prezantoi për komisionin memorandumin e nënshkruar mes ministrit të Brendshëm shqiptar dhe ambasadorit të SHBA-ve. Zëvendësministri bëri me dije se ky memorandum synon krijimin e infrastrukturës së nevojshme, në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit për t’iu përgjigjur kërkesave dhe pritshmërive me karakter ndërkombëtar dhe përafrimin me “acquis communitare”. Z. Lamallari shtoi se infrastruktura e nevojshme, hardware dhe software, nënkuptojnë një njësi të posaçme të dedikuar për mbledhjen, përpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me SHBA, e në të ardhmen me çdo vend të rajonit dhe BE-së. Me rëndësi të madhe zëvendësministri konsideroi jo vetëm rritjen e standardit të përpunimit të informacionit me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së grupeve kriminale, që veprojnë përtej kufijve, por edhe identifikimin, parandalimin, kontrollimin dhe ndalimin e personave të dyshuar, ose që janë në lista ndërkombëtare të përfshira në akte terroriste. Z. Lamallari garantoi gjithashtu se këto ndryshime mundësojnë rritjen e cilësisë së përpunimit të informacionit dhe të nivelit profesional të Policisë së Shtetit, si edhe rrisin parametrat e sigurisë në kuadër të përpjekjeve të vendit tonë për integrim në BE.

Relatorja për komisionin, znj. Gjebrea, i dha mbështetje këtij projektligji, duke u shprehur se forcon bashkëpunimin mes dy shteteve, minimizon rreziqet e shfrytëzimit kriminal dhe terrorist të udhëtimit ndërkombëtar, shërben si mjet efikas për luftën e krimit ndërkombëtar, siguron mbështetjen e ndërsjelltë për identifikimin e pasagjerëve të paligjshëm dhe i qëndron rëndësisë që për Shqipërinë ka koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit me SHBA dhe BE. 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët e komisionit, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligji gjeti mbështetjen me votë. Në vijim të masave protokollare anti-Covid, edhe mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, “Cisco Webex”.

 


Share