Kuvendi mblidhet në seancë plenare. Miratohet 1 projektrezolutë, rrëzohen 3 dekrete presidenciale. Emërohet ministrja e re

  • Postuar më, 24/09/2020

24 shtator 2020

Pas përfundimit të interpelancës së një grupi deputetësh me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, seanca e sotme plenare vijoi punimet e saj duke miratuar rezolutën “Mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe miratimin e planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian” dhe duke rrëzuar tre dekrete presidenciale. Seanca e sotme, gjithashtu, miratoi dekretin e shkarkimit të ministres së mëparshme të arsimit dhe miratoi dekretin e emërimit të ministres së re, znj. Evis Kushi. 

Lidhur me projektrezolutën “Mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe miratimin e planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian”, në emër të grupit parlamentar socialist, z. Balla e konsideroi me shumë rëndësi si moment, që i bën bashkë kontributet e të gjitha forcave politike. Integrimi, sipas tij, është procesi më i rëndësishëm dhe me mbështetjen më të madhe popullore në vend dhe rezolutën e konsideroi si qëndrimin zyrtar të Shqipërisë ndaj proceseve integruese. Z. Balla i njohu meritat edhe opozitës parlamentare në kontributin e dhënë për reformën në drejtësi. Z. Murrizi i grupit parlamentar demokrat ngriti shqetësimin e avashtimit të ritmit të procesit integrues të vendit nga klasa politike, ai shprehu bindjen se me një sistem zgjedhor më demokratik integrimi do të ishte më lehtë dhe më shpejt i arritshëm. Moment të rëndësishëm miratimin e rezolutës, duke shprehur edhe mbështetjen e tyre me votë, e konsideruan edhe dy kryetarët e tjerë të grupeve parlamentare, z. Musai dhe z. Stojku. Në përfundim të diskutimeve, rezoluta e integrimit mori 108 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim. 

Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.591, datë 10.08.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 113/2020 “Për shtetësinë”, nga deputetët socialistë u konsiderua i paargumentuar mirë. Znj. Felaj deklaroi që ligji reduktonte situatën e pashtetësisë dhe zgjidhte shumë problematika të ligjit të vjetër e problematik. Të tjerë deputetë të mazhorancës risitë e ligjit të votuar nga Kuvendi e panë të lidhur fort edhe me zhvillimin e ekonomisë dhe uljen e papunësisë, duke qenë se siguronte shtetësi për investitorët e rëndësishëm. Në përfundim të diskutimeve, dekreti u rrëzua me me 83 vota kundër, 15 pro dhe 13 abstenim.  

Dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.590, datë 10.08.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit” të ndryshuar””, gjeti gjithashtu kundërshtinë e diskutantëve të mazhorancës. Z. Myslim Murrizi, në anën tjetër, në emër të grupit parlamentar demokrat, shtoi shqetësimin e tij për politikat privatizuese dhe trashëgiminë e mbrapshtë politike në trajtimin e çështjeve të pronësisë. Në përfundim të diskutimeve parlamentare, dekreti u rrëzua me 83 vota kundër, 14 vota pro dhe 14 abstenim. 

Dekreti i tretë në shqyrtim parlamentar, i ardhur nga Presidenti i Republikës ishte ai me nr. 11.589, datë 10.08.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”.  Deputetët e shumicës parlamentare e kundërshtuan argumentimin nga ana  e dekretit, duke mos e quajtur ndarje të re administrative ndarjen në 4 zona joadministrative, të quajtura rajone. Ata u shprehën se në argumentimin shoqërues të dekretit rajoni gabimisht konsiderohet si njësi administrative dhe për rrjedhoje, po njësoj gabimisht, konsiderohet edhe organ i vetëqeverisjes vendore, ndërkohe rajoni nuk ka asnjë kompetencë administrative. Ata shtuan se ky projektligj shton nocionin e zhvillimit përmbi kufijtë administrativë e se i shton mundësinë vendit për të fituar më tepër nga fondet IPA të BE-së, që nga ana e saj njeh konceptin e rajoneve. Në përfundim të diskutimeve, ky dekret u rrëzua me 84 vota kundër, 13 pro dhe 4 abstenim. 

Seanca miratoi edhe dy dekrete të tjera:  dekretin nr. 11.731, datë 17.09.2020 “Për shkarkim ministri”, me 106 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenim dhe dekretin nr. 11.732, datë 17.09.2020 “Për emërim ministri”, me 104 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.

Në vijim të zbatimit të masave protokollare anti-Covid, edhe seanca e sotme plenare u zhvillua në kushte të posaçme prej rregullave të paracaktuara.


Share