Këshilli Kombëtar i Integrimit zhvilloi mbledhjen e radhës. Raportoi ministrja e Drejtësisë për kapitullin njëzetë e tre

  • Postuar më, 23/09/2020

23 shtator 2020


Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian, në drejtimin e kryetares, znj. Rudina Hajdari, zhvilloi sot online takimin e radhës për progresin e realizuar dhe sfidat në kuadër të kriterit politik dhe kapitullit 23 ‘Gjyqësori dhe të drejtat e njeriut”, me fokusin në 15 pikat e vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian të datës 25 mars 2020 për hapjen e negociatave. Takimin e sotëm e përshëndetën kryetarja dhe nënkryetari i Këshillit, znj. Rudina Hajdari dhe z. Taulant Balla. Për të informuar anëtarët dhe të ftuarit e KKIE-së lidhur me progresin e bërë në kuadër të kapitullit 23 dhe sfidat e së ardhmes ishte ftuar ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj.

Kryetarja e Këshillit, znj. Hajdari, e nisi mbledhjen e sotme duke vënë në dukje rëndësinë që do të kishte prania e z. Lleshaj për të diskutuar lidhur me kapitullin 24, që lidhej me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, por që, për shkak të mungesës së z. Lleshaj, ishte i pamundur diskutimi nga ana e tryezës dhe raportimi nga ana e institucionit. Znj. Hajdari, në fjalën e saj, lidhur me ecurinë në raport me kapitullin 23, ngriti shqetësimin se të gjitha raportet ndërkombëtare konstatojnë përkeqësim të fenomenit të korrupsionit dhe të pastrimit të parave duke cituar indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas “Transparency International”, raport në të cilin Shqipëria ka humbur 7 vende në vitin 2019, e renditur e njëqind e gjashta. Znj. Hajdari citoi edhe një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Shqipëria cilësohej si vend i vështirë për të bërë biznes e ku korrupsioni në gjyqësor, mungesa e transparencës në prokurimet publike dhe zbatimi i dobët i kontratave mbeteshin problemet kryesore. Një tjetër raport i sjellë në vëmendje nga znj. Hajdari ishte edhe ai i “Moneyvall-it”, në të cilin deputetja Hajdari vuri theksin te rikthimi i Shqipërisë në listën gri të pastrimit të parave. Kryetarja e KKIE tha se është rëndësishme moszvarritja e procedurave nga institucionet e pavarura, me qëllim që të krijohet kuorumi i nevojshëm në Gjykatë të Lartë e që të hapet rruga për plotësimin e vakancave në Gjykatë Kushtetuese. Ajo duke u bazuar në raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (gjatë muajit qershor) në Kuvend, ngriti shqetësimin se 75% e gjykatave kanë funksionuar me kapacitetet të limituar e ku, 114 vendet e lëna bosh në sistemin gjyqësor kanë nevojë të menjëhershme për përmbushje. “Duke vlerësuar dhe mirëpritur vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky vendim është vetëm fillimi i një rrugëtimi shumë të gjatë, i cili kërkon angazhimin e të gjitha forcave politike, të qeverisë dhe institucioneve të pavarura kushtetuese, apo edhe ato të krijuara me ligj, pushtetit lokal dhe angazhimin e shoqërisë civile, për t’ia dalë mbanë që në fund të këtij procesi Shqipëria të jetë vend anëtar i BE-së”,- tha në mbyllje të fjalës së saj znj. Hajdari.

Nënkryetari i KKIE-së, z. Balla, e konsideroi një moment të rëndësishëm të rrugës evropiane mbledhjen e sotme pasi ndodhte në prag të publikimit të vlerësimit të Komisionit Evropian dhe në prag të marrjes së një vendimi për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Sipas tij, ky Këshill duhet të përcjellë një mesazh shumë direkt dhe angazhues për faktin që Shqipëria vazhdon të jetë plotësisht e ankoruar me të gjithë aktorët e përfshirë në proces për projektin e anëtarësimit në familjen evropiane. Kapitujt 23 dhe 24 kanë rëndësi të madhe për të përcaktuar përparimin e një vendi në rrugëtimin evropian në tabelën krahasuese me vendet e tjera. Ai shprehu synimin që tematika e sotme ta shtonte llogaridhënien e institucioneve në raport me progresin për procesin e integrimit përpara KKIE, por pa e anashkaluar edhe funksionin monitorues e kontrollues të Kuvendit. Z. Balla, theksoi gjithashtu se Kuvendi ka rol të pazëvendësueshëm në monitorim të aktivitetit të strukturave shtetërore në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit evropian, rol kontrollues dhe monitorues të institucioneve të tjera për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit dhe shërben si urë lidhëse mes aktorëve të përfshirë në proces ku KKIE dëshmon një shprehje e këtij roli. “Përparësitë e institucioneve përgjegjëse shkojnë përtej vullnetit të qeverisë apo aftësisë monitoruese të Kuvendit. Integrimi Evropian është rrugëtim kompleks, që kërkon bashkërendim të shumë aktorëve: qeveri, kuvend, shoqëri civile e deri te qytetari më i thjeshtë. Nuk mund të pretendojmë, që vullneti i qeverisë apo vetëm i mazhorancës, do të ishte i mjaftueshëm në suksesin e këtij procesi. Në këtë rrugëtim duhet të jemi të gjithë bashkë për avancim sa më të shpejtë dhe të sigurt në procesin historik drejt Bashkimit Evropian”,- mbylli fjalën e tij z. Taulant Balla.

Më tej tryeza vijoi me raportimin e ministres së Drejtësisë, ministri e ngarkuar si institucion lider për kapitullin 23, znj. Etilda Gjonaj. Znj. Gjonaj e nisi fjalën e saj duke shprehur vullnetin personal dhe institucional për përmbushjen e objektivave politike. Ajo i dha peshë vendosmërisërisë për të shtuar përpjekjet në disa drejtime: reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, parandalimi i pastrimit të parave etj. Ministrja u ndal në fjalën e saj më gjerësisht në reformën në drejtësi dhe vuri në dukje rezultatet shumë të mira, theksoi funksionalitetin e plotë të KLGJ dhe KLP, ngritjen e SPAK-ut në dhjetor 2019, emërimin e drejtorit të BKH-së, emërimin e tre gjyqtarëve në Gjykatën të Lartë e konsideroi përmirësim e po njësoj edhe emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ritmet e avashta të punës në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatë Kushtetuese, ministrja i argumentoi me pandeminë, fatkeqësinë natyrore dhe procesin e vetingut, megjithatë shtoi se me vetë komisionet, me partnerët ndërkombëtarë dhe OMN-në po punohet për të shtuar ritmet përmes zgjerimit të burimeve njerëzore. Vakancat e krijuara në sistem u konsideruan problem për t’iu gjetur zgjidhje, nga ministrja Gjonaj, megjithate, sa i takonte reformës, ajo shtoi se tashmë ka një kuadër të plotë ligjor, ku e gjithë paketa e akteve nënligjore ka përfunduar. Hap pozitiv, si shprehje e mbështetjes nga qeveria, ajo listoi edhe ndryshimin ligjor për rritjen e pagave të prokurorëve të SPAK-ut. Ministrja bëri me dije se është në fazë përmbyllëse harta gjyqësore, si punë intensive e KLGJ-së e ku organizimi i ri do të garantojë aksesin e qytetarëve në drejtësi por do të ndihmojë edhe organizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke mbajtur në konsideratë vakancat. Ministrja Gjonaj u ndal edhe te Gjykata Kushtetuese, stadin e të cilës e konsideroi jo plotësisht funksional, duke shprehur nevojën për më së paku emërimin e dy gjyqtarë. Ajo shtoi se KED-ja është në proces për procedurat e 3 vendeve vakante. Lidhur me KLGJ, ministrja raportoi për Këshillin se ka përfunduar procesin dhe janë emëruar tre gjyqtarë nga radhët e juristëve të shquar, e se kjo trupë nëpërmjet vendimeve pilot ka shqyrtuar 700 çështje. Me plotësimin e trupës, hapat do të jenë më të përshpejtuara. Konkretisht, KLGJ ka shpallur 11 vende vakante, 12 me të gjithë vendin për juristët jashtë sistemit dhe po kryhet procesi i vlerësimit dhe verifikimit për kandidatët. E ndalur te SPAK- u, ministrja e konsideroi strukturë funksionale, me 13 nga 15 prokurorë. Ministrja e konsideroi pozitive nga ana e SPAK-ut, KLP-së dhe partnerëve përzgjedhjen dhe emërimin e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Lidhur me BKH-në, ministrja shtoi se është pjesë e masave të planit të veprimit, që BKH-ja të plotësohet brenda vitit me hetuesit për të ndjekur dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit,. Ministrja raportoi gjithashtu se 9 nga 10 rekomandimet e GRECO-s për raundin e katërt janë plotësuar dhe se konsiderohet thuajse i kaluar ndërkohë që në raundin e pestë, merr prioritet promovimi i integritetit të zyrtarëve të lartë dhe masat anti-korrupsion. Ky kapërcim nënkupton se deri në fund të vitit 2023 të gjitha autoritetet qeverisëse do të kenë planet e tyre të integritetit. Ministrja raportoi se një sërë ligjesh janë ndërmarrë nga qeveria për të plotësuar rekomandimet e ardhura nga “Moneyval”. Ajo u ndal edhe te çështja e rishikimit të ligjit të medias, ku u shpreh se po punohet në bashkëpunim me Kuvendin për të parë ligjin, rekomandimet e Komisionit të Venecias, e sapo ato të reflektohen do të vijohet me ecurinë e diskutimeve në komisionet përkatëse. Ministrja i cilësoi pozitive hapat e hedhura në drejtim të çështjeve të pronave, të drejtave të njeriut, ku përfshihen pikat e burgjeve dhe pakicave. Në mbyllje të raportimit të saj, ministrja shtoi gjithashtu se edhe pse “screening” i legjislacionit nuk është detyrim e as fokus i kapitullit 23, për t’i paraprirë momentit kur kjo të kërkohet nga BE, puna në Ministrinë e Drejtësisë në këtë drejtim ka nisur.

Pjesë e diskutimeve të mbledhjes së sotme u bënë edhe znj. Vasilika Hysi, nënkryetare e Kuvendit, që në fjalën e saj shtoi edhe disa mekanizma të tjerë në Kuvend, përgjegjës për shqyrtimin e rekomandimeve të bëra për hapjen e negociatave dhe monitorimin e ecurisë së tyre. Zëvendëskryetarja ceku në fjalën e saj përpjekjet e Kuvendit për të nxitur zgjidhjen e problemeve të vërejtura në procesin e punës së Gjykatës Kushtetuese. Ngritja e një grupi pune në komisionin e ligjeve për të shqyrtuar të gjitha dekretet ishte një ndër këto përpjekje konkrete. Znj. Hysi, në ndërhyrjen e saj, u ndal edhe te reagimi pozitiv që Kuvendi ka marrë nga raportet e ndërkombëtarëve në qasjen që ai ka ndaj transparencës dhe procesit të konsultimit publik. Pjesë e diskutimeve të tryezës u bënë edhe znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit; znj. Ilda Zhulali, këshilltare e Presidencës së Republikës dhe znj. Erida Skëndaj, nga Komiteti i Helsinkit. Në respektim të protokollit të masave anti-Covid, edhe takimi i sotëm u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, “Cisco Webex”.




Share