Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratohen dy projektligje dhe projektvendimi për komisionin e posaçëm parlamentar

  • Postuar më, 17/09/2020

17 shtator 2020

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi zhvilloi sot seancën plenare të radhës. Seanca e sotme çeli punimet me një interpelancë. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi ishte thirrur në këtë interpelancë nga deputeti Vasil Sterjovski për llogaridhënie lidhur me situatën mjedisore të Liqenit të Prespës. Seanca e sotme miratoi edhe projektligjet  “Për aderimin në amendamentin DOHA të Protokollit të Kiotos të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike aderuar me ligjin nr. 9334, datë 16.12.2004” dhe “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017””. Si pikë të fundit të rendit të ditës seanca miratoi edhe projektvendimin “Për krijimin dhe përbërjen e komisionit të posaçëm parlamentar të shqyrtimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për organet drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionit Rregullator, Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve si dhe për Nënkomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve”.

Pas interpelancës, seanca vijoi me shqyrtimin dhe diskutimet parlamentare për projektligjin “Për aderimin në amendamentin DOHA të Protokollit të Kiotos të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike aderuar me ligjin nr. 9334, datë 16.12.2004”. Z. Baraj, në emër të grupit parlamentar socialist, bëri me dije se ky projektligj vjen si pasojë e inkurajimit të Kombeve të Bashkuara ndaj qeverisë për të pranuar sa më shpejt ndryshimet në lidhje me periudhën e dytë të angazhimit të protokollit të Kiotos, traktatit ndërkombëtar për uljen e emetimeve. Z. Baraj e konsideroi aderimin në amendamentin Doha të protokollit të Kiotos si hap të nevojshëm për veprim global klimatik, ndaj edhe projektligji synon finalizimin e procesit të aderimit të amendamentin Doha, të protokollit të Kiotos, në zbatim të legjislacionit për marrëveshjet ndërkombëtare. Në përfundim të diskutimeve, Kuvendi e miratoi këtë projektligj me 101 vota pro, 4 abstenim dhe 1 kundër.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me projektligjin e dytë në qendër të diskutimit parlamentar, “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017””, znj. Milva Ekonomi sqaroi se projektligji ka për qëllim prishjen e një marrëveshjeje të mëparshme, konkretisht marrëveshjen nr. 100, që lidhej me financimin e një pjese të rrugës së Lumit të Vlorë, e konkretisht të lotit të katërt. Znj. Ekonomi e konsideroi Kuvendin në të drejtën e tij legjitime si institucion për ta ndërmarrë këtë akt, përsa argumentet e ardhura nga Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë të mjaftueshme. Ato argumentuan se funksionin e projektit të mëparshëm të lotit të katërt, e mbulojnë dy rrugë të tjera, për të cilat po punohet paralelisht me kosto shumë më të ulët. Një tjetër argument ishte edhe se huaja nuk arrinte ta mbulonte plotësisht vlerën e projektit në letër. Mbi të gjitha, në arsyet  e renditura nga znj. Ekonomi, u theksua se kjo marrëveshje nuk i sjell kosto financiare shtesë qeverisë shqiptare dhe i mundëson fokusimin me efektivitet dhe eficiencë të lartë financiare në prioritetet e tjera të ekonomisë. Në përfundim të diskutimeve projektligji u miratua me 83 vota pro, 14 kundër dhe 10 abstenime.

Seanca, si pikë të fundit të diskutimeve të rendit të ditës, miratoi edhe projektvendimin “Për krijimin dhe përbërjen e komisionit të posaçëm parlamentar të shqyrtimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për organet drejtuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionit Rregullator, Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve si dhe për Nënkomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve” me 95 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenime.

Seanca e sotme plenare u zhvillua sipas masave protokollare të parashikuara në kuadër të kushteve të krijuara prej pandemisë së COVID 19. 


Share