Ministri i Turizmit dhe Mjedisit u thirr në interpelancë, pyetet për problemet mjedisore në Liqenin e Prespës

  • Postuar më, 17/09/2020

17 shtator 2020


Në seancën e sotme plenare, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, u thirr në një interpelancë nga deputeti Vasil Sterjovski, për llogaridhënie lidhur me situatën mjedisore të Liqenit të Prespës. Në interpelencën me ministrin Klosi, deputeti Sterjovski në parashtresën e tij kërkoi të dinte nga ministri më tepër për atë që ai e quajti katastrofë ekologjike të liqenit të Prespës, për të cilën raporti një rënie të lartësisë së ujit në 5 metra dhe tërheqjen deri në 200 metra të tij nga bregu. Deputeti Vasil Sterjovski kërkoi të dinte nga ministri Klosi nëse Ministria e Turizmit dhe Mjedisit po e monitoronte këtë zhvillim, nëse ka një raport të përgatitur për gjendjen, nëse ka një plan me masa konkrete, studime dhe programe nga ana e institucionit për rikthimin në normalitet të gjendjes, si janë përdorur fondet e projektit aktual, nëse ka ndonjë alternativë për menaxhimin ndryshe e me eficiencë të këtyre fondeve, që të rritet efikasiteti i tyre. Deputeti Sterjovksi, pasi shprehu shqetësimin se projektet në zonën e Prespës nuk e kanë ulur varfërinë në bashkinë Pustec, kërkoi që të merren masa urgjente nga tre shtetet kufitare, të konsiderohet projekti i devijimit të Lumit Devoll, të investohet më tepër në drejtim të rehabilitimit të kanalizimeve dhe të sistemimit të prurjeve të lumit Devoll përmes bashkëpunimit trepalësh. Mbetjet urbane dhe derdhjet e ujërave të zeza në liqen, si edhe shqetësime të tjera të përditshmërisë së bashkisë Pustec u prekën nga z. Sterjovski. Në përgjigjen e tij ministri Klosi e lidhi situatën e liqenit me fenomenin e ngrojes globale dhe mungesën e reshjeve të borës në dimër. Sipas tij, ideja e devijimit të ujrave të Devollit, edhe pse është menduar dhe përdorur më parë, nga specialistët e fushës nuk është vlerësuar si zgjidhje e duhur për problemin. Ai listoi një sërë masash që qeveria ka marrë dhe paraqiti shifrat në rritje të turistëve në zonën e Pustecit dhe në qarkun e Korçës. Z. Klosi theksoi se kthimi i Pustecit dhe Prespës si destinacion qendror turistik do ta zbusë edhe problemin e varfërisë për zonat përreth. 110 mijë turistë e kanë vizituar Prespën falë investimeve dhe vëmendjes së shtuar nga kjo qeveri tha ndër të tjera ministri i Turizmit dhe Mjedisit. Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e pikave të tjera të diskutimit të rendit të ditës. 



Share