Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në parim dy projektligje

  • Postuar më, 16/09/2020

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin  “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” të ndryshuar””. Të ftuar për këtë projektligj ishin z. Artan Shkreli zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe znj. Alisa Ramollari drejtoreshë juridike e AZHT.

Në prezantimin e këtij projektligji, z. Shkreli u shpreh se qëllimi i këtij projekt akti dhe objektivat që synohen janë përcaktimi i masave ndaluese për ndërtimet pa leje, institucionit përgjegjës për dhënien e lejeve të zhvillimit e ndërtimit, për llojet e zhvillimit kompleks që lidhen me çështje, zona, objekte të rëndësisë kombëtare etj.

“Në këtë projektligj përcaktohet që zhvilluesi, krahas dokumentacionit tekniko-ligjor ne fazën e aplikimit për leje, duhet të dorëzojë edhe kontratën e sigurimit, për të mbuluar dëmet eventuale, në rast se objekti ndërtohet në shkelje të kushteve të lejes, duke marrë përsipër mbulimin e të gjitha kostove përkatëse që mund të nevojiten.”,-tha ndër të tjera zëvendësministri Shkreli.

Anëtarët e komisionit pas prezantimit shprehën komentet, sugjerimet si edhe pyetjet mbi të cilat përfshinin këtë projektligj.

Më tej, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, ku i ftuar gjithashtu ishte zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z. Artan Shkreli.

Gjatë prezantimit, z. Shkreli tha se ky projektligj është komplementar me projektligjin e prezantuar më lart dhe se iniciohet në kuadër të përmirësimit të procedurave si dhe si pasojë e dëmtimeve që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm i datës 21 shtator 2019, në disa qytete të vendit.

Kryetari i komisionit z. Niko Peleshi pas prezantimit të dy projektligjeve marrë si një paketë e vetme, e përshëndeti këtë nismë të qeverisë pasi e konsideroi te nevojshme për ndërtimet pa leje.

Në fund të mbledhjes, anëtarët e komisionit i miratuan të dyja projektligjet në parim.

Mbledhja u zhvillua online nëpërmjet platformës CISCO-WEBEX.

 


Share