Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti ambasadorin e Ukrainës, z. Volodymyr Shkurov

  • Postuar më, 15/09/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti ambasadorin e Ukrainës, z. Volodymyr Shkurov, me rastin e fillimit të detyrës së tij në Shqipëri.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Ukrainës janë të mira, me interesa të përbashkëta. Gjatë këtij viti marrëdhëniet bilaterale njohën një zhvillim të rëndësishëm, me hapjen e misionit diplomatik shqiptar në Kiev dhe hapjen e Ambasadës së Ukrainës në Tiranë. Këto hapa, në përvjetorin e 27-të të marrëdhënieve diplomatike, shënuan një zhvillim të ri në fuqizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve.

 

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi,  vlerësoi mbështetjen e Ukrainës për presidencën shqiptare të OSBE-së dhe vuri në dukje se zgjidhja e konflikteve dhe parandalimi i tyre është në prioritetin e axhendes së presidencës shqiptare, për të kontribuar drejt një zgjidhje paqësore të krizës “in and around Ukraine”, e cila mbetet sfida më e ngutëshme për siguri në Evropë. Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se ndaj aneksimit ilegal të Krimesë nga Rusia, Shqipëria ka një pozicion të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në të njëjtën linjë me pozicionin e BE-së  dhe të SHBA-së.

Ambasadori Shkurov falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për vlerësimin dhe gadishmërinë për fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh dhe u angazhua se do të punojë për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik e tregëtar midis të dy vendeve. Ambasadori përsëriti ftesën e Kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, Razumkov, drejtuar Kryetarit Ruçi për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Ukrainë, vizitë e cila do të realizohet në një të ardhme të afërt. 


Share