Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në parim projektligjin “Për metrologjinë"

  • Postuar më, 15/09/2020

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin  “Për metrologjinë". Të ftuar në mbledhjen e sotme të komisionit ishin përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë z. Petrit Rama dhe përfaqësues nga ministria e Financave dhe Ekonomise znj. Belinda Ikonomi znj. Arjana Dyrmishi etj.

Në prezantimin e këtij projektligji, zëvendësministrja Belinda Ikonomi u shpreh se ligji ekzistues është miratuar që në vitin 2008 dhe gjatë kësaj periudhe të zbatimit ka lindur domosdoshmëria e rishikimit të tij.

“Riorganizimi dhe ristrukturimi i inspektoriatit për metrologjinë dhe strukturës për mbikëqyrjen e tregut, ka nxjerrë në pah nevojën për ristrukturimin më të mirë të  dhe koordinimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.”-theksoi znj. Ikonomi.

Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi e hodhi projektligjin në votim ku u miratua në parim nga anëtarët e komisionit.

Më tej, mbledhja vazhdoi më shqyrtimin e projektligjit “Për regjistrimin,  mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të argëtimit, me motor me fuqi mbi 30 KW ose 40.8 KF dhe tonazh nën 150 GT.

Relatori z. Ilir Beqja shprehu disa propozime të bëra mbi këtë projektligj, ku sugjerimet dhe propozimet e tjera do të shterohen në një seancë të ardhshme.

 


Share