Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvillon mbledhjen e parë të sesionit të ri parlamentar. Miratohen dy projektligje dhe dy projektvendime

  • Postuar më, 14/09/2020

14 shtator 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot në drejtimin e kryetarit, z.Ulsi Manja, mbledhjen e tij të parë për sesionin e shtatë të kësaj legjislature. Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mbledhja e sotme miratoi dy projektligjet: “Për aderimin në amendamentin DOHA të Protokollit të Kioto-s të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike aderuar me ligjin nr. 9334, datë 16.12.2004” dhe “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017.  

Projektligji i parë u prezantua në komision nga z. Pëllumb Abeshi, drejtor i Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Mjedisit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe u relatua nga znj.Vasilika Hysi. Z. Abeshi sqaroi se amendimet e ligjit vijnë në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka si pjesëmarrëse e konventës së ndryshimeve klimatike, si edhe për të reflektuar masat e ripara nga protokolli i Kioto-s, në mënyrë që të garantohet realizimi i objektivave globale dhe kombëtare. Relatorja znj.Hysi vlerësoi se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Projekligji i dytë “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017”, u paraqit në komision nga znj. Kesjana Halili, Drejtore e Përgjithshme e Borxhit Publik dhe Ndihmës Huaj, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua për komisionin nga deputeti Alket Hyseni. Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi nga shumica e deputetëve të pranishëm në mbledhjen e komisionit.                 

Më tej, në cilësinë e komisionit përgjegjës, rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e projektvendimit për ngritjen e grupit të punës për draftimin dhe propozimin në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 101/2020  ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.                  Z. Manja sqaroi se grupi i punës i asistuar nga ekspertë konstitucionalistë, brenda datës 30 shtator 2020, duhet të draftojnë amendimet përkatëse në Kodin Zgjedhor si reflektim i ndryshimeve kushtetuese, që tashmë kanë hyrë në fuqi. Kreu i komisionit të Ligjeve propozoi që grupi të përbëhet nga deputetët: Damian Gjiknuri dhe Klotilda Bushka nga mazhoranca parlamentare, si dhe z.Korab Lita nga opozita parlamentare. Pas diskutimeve, komisioni miratoi përbërjen dhe afatin kohor të grupit të punës.  

Pika e fundit e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektvendimit, për ngritjen e grupit të punës, për draftimin dhe propozimin në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të projektligjit “Për Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë”. Z.Manja sqaroi se grupi i punës ngrihet bazuar në konkluzionet e raportit të  Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga presidenti i republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”, të miratuar me vendimin nr. 48/2020 datë 27.07.2020 të Kuvendit të Shqipërisë.  Z.Manja propozoi që grupi i punës të përbëhet nga znj. Vasilika Hysi dhe Adnor Shameti nga mazhoranca parlamentare, si dhe z. Alban Zeneli nga pakica parlamentare, çka u miratua edhe nga anëtarët e komisionit. Ndërkohë me propozim tw deputetit Adnor Shameti, u caktua si afat për draftimin dhe propozimin e projektligjit data 15 tetor 2020. Mbledhja e sotme e komisionit,  u zhvillua përmes platformës së komunikimit “Cisco Webex”. 

Vendimi nr 2

Vendimi nr 3


Share