Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh solidariteti Kryeparlamentarit të Libanit, Berri: Vitaliteti i Libanit do të sfidojë mbivendosjen e pandemisë e shpërthimit

  • Postuar më, 05/08/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar mbrëmjen e djeshme një mesazh solidariteti Kryetarit të Parlamentit të Libanit, z. Nahib Berri, pas shpërthimit të ndodhur në portin e kryeqytetit të vendit, Beirut.

“Me trishtim të thellë po përjetoj lajmin mbi katastrofën e ndodhur mbrëmjen e sotme në kryeqytetin e Libanit, Beirut, e cila u ka marrë jetën dhjetra njerëzve dhe ka plagosur disa mijra të tjerë.
Populli shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë dhe unë personalisht jemi në këto çaste pranë popullit mik libanez, pranë familjeve të viktimave dhe të plagosurve e familjarëve të tyre dhe mbështesim punën e mjekëve të spitaleve për të shëruar të dëmtuarit dhe të forcave të emergjencës, për të gjetur të mbijetuarit dhe shpëtuar pjesën tjetër të banorëve nga fatkeqësia.
Kemi besim të plotë se Presidenti Aoun, Qeveria e Kryeministrit Diab dhe Parlamenti i Libanit, mjekët, infermierët dhe punonjësit dhe agjencitë e shpëtimit do të përballojnë pasojat e kësaj fatkeqësie dhe do të kontribuojnë që vendi juaj i bukur t’i kthehet normalitetit.
Është një sfidë e vështirë përballimi i pasojave të këtij shpërthimi, në një kohë që Libani, ashtu si edhe të gjithë vendet e botës, po ndeshet ende me rrezikun dhe pasojat e pandemisë së Covid-19. Kam besim të plotë se vitaliteti dhe forca e popullit mik libanez do t’i përballojnë me sukses pasojat e këtyre fatkeqësive.
Përfitoj nga ky rast, për të shprehur edhe njëherë ndjenjat e miqësisë e solidaritetit të popullit shqiptar me popullin libanez.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.





Share