Nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese, zhvillohet tryezë diskutimi me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtare

  • Postuar më, 07/07/2020

7 korrik 2020

Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilluan një mbledhje të përbashkët të drejtuar nga Nënkryetarja e Kuvendit, znj.Vasilika Hysi, ku u vijua me procedurën e shqyrtimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Siç është bërë publike dhe më herët, në rendin e ditës ishte zhvillimi i një tryezë diskutimi me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtare mbi nismën e opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese. Në mbledhje morrën pjesë edhe 4 ekspertët konstitucionalistë të përzgjedhur nga Kuvendi për të ofruar ekspertizën e tyre në këtë fushë.

Morrën pjesë në diskutime: znj.Erinda Ballanca, Avokat i Popullit, z.Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen ndaj  Diskriminimit, z. Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri  z.Florian Hobdari dhe znj.Eriola Likaj,  nga zyra e Këshillit të Europës, z.Olsi Dekovi. 

Të ftuarit shprehën opinionin e tyre lidhur me 3 aspektet kryesore që synojnë të ndryshojë nisma e opozitës parlamentare; ndryshimin e sistemin zgjedhor; pragun zgjedhor, si dhe listat e hapura apo moslejimin e koalicioneve parazgjedhore.

Të ftuarit vlerësuan se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, transparent, i bërë në kohën dhe mënyrën e duhur, si dhe të analizohet në mënyrë të plotë nevojat e këtyre ndryshimeve. Ata dhanë opinionin e tyre lidhur me nismën, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të drejtuara nga deputetët.

Në përfundim të mbledhjes, znj.Hysi bëri të ditur se në mbledhjen e radhës ekspertët konsitucionalistë do iu japin përgjigje pyetjeve të drejtuara nga deputetët e dy komisioneve.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.



Share