Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Nënkomisionin për Barazi Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, shqyrtuan propozimet e shoqërisë civile, lidhur me masat e parandalimit të dhunës seksuale

  • Postuar më, 06/07/2020

6 korrik 2020

Nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me Nënkomisionin për Barazi Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, zhvilluan mbledhjen e përbashkët on-line, ku shqyrtuan propozimet e shoqërisë civile, lidhur me masat e parandalimit të dhunës seksuale. Seanca e ndarë në dy pjesë, u drejtua nga Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, njëherësh edhe Kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut dhe deputetja znj. Eglantina Gjermeni, Kryetare e Nënkomisionin për Barazi Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, ku së bashku me anëtarët e këtij komisioni diskutuan mbi parandalimin e abuzimeve seksuale me fëmijët, dhuna ndaj fëmijëve dhe grave dhe adresimi i disa propozimeve konkrete nga organizatat e shoqërisë civile.

Në këtë seancë dëgjimore ishin të ftuara znj. Romina Kuka, zëvendësministre e Brendshme, znj. Bardhylka Kospiri, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në fillim të dëgjesës znj. Iris Luarasi, bëri të ditur se gjatë monitorimit të bërë nga organizatat, nuk janë të pakta rastet ku viktimat nuk raportojnë dhunën e ushtruar mbi ta, ndaj sipas saj kodi i vjetër penal ka nevojë për disa rishikime. Më tej znj. Luarasi bëri disa propozime konkrete që kishin të bënin me ndryshimet në Kodin Penal për krimet seksuale, regjistrin Kombëtar i Autorëve të Krimeve Seksuale, përfshirë dhe pedofilët, si dhe kastrimi kimik i autorëve të krimeve seksuale me të mitur nën 14 vjeç.

Znj. Kuko bëri një rezyme të aktualitetit dhe masave të marra për parandalimin e dhunës seksuale, tek të miturit ku shpeshherë 50 për qind e rasteve përfshijnë, vetë fëmijët.  Vlerësoi gjithashtu punën e mirë, me psikologët, oficerët e policisë, dhe trajnimet e tyre për të dalluar shenjat e dhunës si dhe për të parandaluar dhunën ndaj tyre. Pas diskutimeve mes të ftuarëve dhe anëtarëve të dy nënkomisioneve, kjo seancë vijoi rendin e ditës me miratimin e procesverbalit të datës 22 qershor 2020 të mbledhjes së Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, ku u shqyrtua raporti i monitorimit të institucioneve të pavarura, burgjet  se a kanë zbatuar rekomandimet e komisionierit të Bashkimit Europian, Avokatit të Popullit për parandalimin e torturës në burgje.

 


Share