Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi një Akt Normativ dhe një Projektligj

  • Postuar më, 06/07/2020

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e zhvilluar on line, mori në shqyrtim Aktin Normativ nr.5, datë 10.06.2020 “Për një shtesë në ligjin nr.8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar””.
E ftuar për të prezantuar ndryshimet e propozuara  ishte znj. Rovena Voda, zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme. Në lidhje me ndryshimet e propozuara znj. Voda sqaroi se, në situaten e krijuar, për ata shtetas, të cilët nuk kanë mundësi për marrjen e shërbimeve, propozohet, që afati i vlefshmërisë të këtyre letërnjoftimeve të zgjatet deri në përfundimin e gjendjes së  epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19, masë kjo, e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit të shtetasve.
Relatorja e projektit znj. Artemis Dralo shprehu dakortësinë me propozimin për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimeve, për të shmangur në këtë mënyrë, grumbullimet publike të shtetasve për marrjen e shërbimit në sportelet e gjëndjes civile si dhe ne zyrat e kompanise "Aleat. Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, komisioni miratoi Aktin Normativ në fjalë.
Më tej, komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit:  “Për një ndryshim në ligjin nr.46/2018 “Për kontrollin shtetëror nderkombetar të transferimeve të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.
I ftuar për të bërë një përmbledhje shpjeguese të përmbajtjes së projektatit dhe arsyet që çuan në propozimin për ndryshime në ligj, ishte z. Petro Koçi.
“Në kuadër të reformave dhe të lehtësimit të aplikimit të operatorëve ekonomikë për marrjen e licencave/autorizimeve dhe certifikatave që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, si dhe duke eliminuar sa më shumë kontaktet midis punonjësve të administratës dhe subjekteve aplikuese, këto ndryshime bëhen për për të eliminuar pengesat ligjore për aplikimin on-line, nëpërmjet krijimit ose përdorimit të platformave ekzistuese” sqaroi z. Koçi.
Për sa i përket objektivave që synohen të arrihen, relatori i projektligjit z..Luan  Duzha, theksoi se me këto ndryshime eleminohen pengesat ligjore, të cilat do të bëjnë të mundur aplikimin e operatorëve ekonomikë për marrjen e licencave/autorizimeve dhe certifikatave që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, nëpërmjet platformave on-line.
Anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi, ndryshimet në ligjin “Për kontrollin shtetëror nderkombetar të transferimeve të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.


Share