Mbledhje e perbashkët e dy komisioneve. Miratohet struktura e posaçme për mbikëqyrjen e shpërndarjes së dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë

  • Postuar më, 01/07/2020


1 korrik 2020

Në drejtimin e të dy kryetarëve të komisioneve përkatëse, znj. Milva Ekonomi dhe z. Ulsi Manja, u zhvillua sot mbledhja e përbashkët e komisionit për Çështje Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe të komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Qëllimi i mbledhjes së sotme ishte shqyrtimi i projektvendimit "Për ngritjen e strukturës së posaçme për të mbikëqyrur shpërndarjen e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politik të regjimit komunist", propozuar nga deputeti Artur Roshi. Z. Manja dhe znj. Konomi i paraqitën mbledhjes tre propozime për votim. Së pari, mbledhja miratoi anëtarësinë e strukturës së posaçme me formatin e një nënkomisioni: z. Artur Roshi dhe znj. Senida Mesi anëtarë nga komisioni i Ekonomisë dhe Financave, si edhe z. Korab Lita, znj. Elena Xhina dhe z. Adnor Shameti anëtarë përfaqësues nga komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Së dyti, komisioni bashkërisht miratoi gjithashtu afatin e veprimtarisë së strukturës, që përkon me legjislaturën parlamentare zyrtare. Propozimi i tretë, ai i kalimit te nënkomisioni i të drejtës për caktimin e kryesisë, hasi në debate dhe mbledhja e përbashkët ushtroi kompetencën e propozimit të kryesisë, nga ku në fund të diskutimeve dhe votimeve rezultoi si vijon: znj. Senida Mesi u caktua me shumicë votash si kryetare, z. Korab Lita, zëvendëskryetar dhe znj. Elena Xhina, sekretare e nënkomisionit. Mbledhja e përbashkët kërkoi nga struktura e posaçme, që në mbledhjen e tyre të parë të kenë një rregullore në shembullin e nënkomisioneve të tjera të Kuvendit.


Share