Zhvillohet mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin me Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, pyeten konsitucionalistët

  • Postuar më, 01/07/2020

1 korrik 2020

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u zhvillua mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku u vijua me procedurën e shqyrtimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në zbatim të kalendarit të miratuar në mbledhjen e kaluar, në rendin e ditës ishte parashtresa e pyetjeve të anëtarëve të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për 4 ekspertët konsitucionalistë, të përzgjedhur për të dhënë kontributin e tyre gjatë shqyrtimit të këtij projektligji të rëndësishëm.

Në nisje të mbledhjes Kryetari z.Ruçi, njoftoi dy emërimet e fundit në Këshillin e Legjislacionit, ato të: z.Mylym Murrizi, Kryetar i Grupit parlamentar Demokrat dhe z. Edmond Stojku, Kryetar i Grupit parlamentar "Demokraci dhe drejtësi”. Më tej u njoftua se relatorë të projekligjit nga opozita parlamentare do të jenë deputetët: znj.Ediola Braha dhe z.Korab Lita.

Mbledhja vijoi me parashtrimin e pyetjeve për 4 ekspertët konstitucionalistë dhe në përfundim, Kryetari Ruçi ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit që nëse kanë pyetje për ekspertët ti adresojnë ato deri ditën e premte, (datë 3 korrik). Ekspertëve iu la një javë kohë afat (datë 8 korrik) për të parashtruar komentet dhe përgjigjet e pyetjeve e ngritura nga deputetët.

Në përfundim të mbledhjes u njoftua kalendari i seancave dëgjimore me shoqërinë civile, përfaqësues të botës akademike, institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtare.

Mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share