Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvillon seancë dëgjimore për shqyrtimin e Raportit të veprimtarinë 1-vjeçare të RTSH-së për vitin 2019

  • Postuar më, 24/06/2020

24 qershor 2020

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në drejtimin e kryetarit, z. Ramazan Gjuzi, zhvilloi seancën dëgjimore online me rend dite: “Seancë dëgjimore për shqyrtimin e Raportit për veprimtarinë 1-vjeçare të RTSH-së për vitin 2019”. Pas miratimi të procesverbalit të datës 15 qershor 2020, fjalën  e morën përfaqësuesit e RTSH-së, ku të ftuar ishin  Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së. z.Thoma Gëllçi, Saimir Kumbaro, anëtar i Këshillit Drejtues, Pandi Madhi, Kryetar Bordi të Administrimit si dhe Sokol Gjoshi,  Drejtor i Drejtorisë Juridike. Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, z.Thoma Gëllçi bëri një përmbledhje të punës së RTSH-së në harkun kohor të një viti. “Një nga arritjet e mëdha të Televizionit Publik Shqiptar, është pavarësia dhe paanshmëria, emisionet profesionale, liria krijuese, respektimi i rregullave. Kjo gjë, është parë edhe në raportet ndërkombëtare, ku Shqipëria është renditur në vende të larta, krahasuar me vitet e shkuara, përsa i përket besueshmërisë dhe paanësisë politike, në rajon dhe në Europën Juglindore. Sigurisht kjo është një punë e madhe jo vetëm e jona, por edhe politikës dhe e qeverisë sidomos e Kuvendit, ku ne kemi pasur gjithmonë mbështetjen tuaj. Një mbështetje të madhe ka dhënë maxhoranca, por dhe opozita me kritikat e saj, gjë që ka ndikuar në përmirësimin e audiencës dhe cilësisë sonë”, u shpreh në fjalën e tij z. Gëllçi. Gjatë seancës dëgjimore u diskutuan, si dhe u ngritën problematika lidhur me çështje të ndryshme të funksionimit të RTSH-së. Relatorja e këtij komisioni ishte znj. Vilma Bello, e cila vlerësoi punën e bërë nga Televizioni Publik Shqiptar në lidhje me aktivitetin e tij, si dhe sugjeroi shtimin e emisioneve e sidomos përdorimin e gjuhës standarte shqipe.Për rreth tre orë, drejtori i TVSH-së dhe anëtarët e Këshillit Drejtues, iu përgjigjën pyetjeve dhe interesit të drejtpërdrejtë të deputetëve anëtarë të këtij komisioni.


Share