NJOFTIM SHPALLJE PËR VENDIN VAKANT TË KRYETARIT TË BORDIT TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE

  • Postuar më, 11/06/2020

NJOFTIM SHPALLJE PËR VENDIN VAKANT TË KRYETARIT TË BORDIT TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE

 

 

Me vendimin nr.4/2020 , të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, është vendosur shpallja e vakancës për pozicionin e  Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, pas dorëheqjes nga ky pozicion të z. Ervin Mete.

 

Në lidhje me procesin e prezantimit të kandidaturave dhe për të vijuar më pas me procedurat e parashikuara nga Ligji nr. 9572, datë 03.07.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, i ndryshuar,  për përzgjedhjen e Kryetarit të ri, njoftohen të gjithë personat e interesuar se:

Kriteret ligjore që duhet të plotësojnë kandidaturat për anëtar të AMF janë ato të parashikuara në nenin 5, të ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”.

 

Kriteret për kandidaturat janë:

1. të jetë shtetas shqiptar.

2. të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve.

3. Me përvojë profesionale të paktën 7- vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku:

a) financë-kontabilitet;

b) administrim i shoqërive tregtare;

c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare;

ç) hartim legjislacioni;

d) shkencë e aktuarëve;

dh) sigurime shoqërore dhe pensione.

4. Me integritet moral dhe profesional.

5. Të paangazhuar në funksione drejtuese partiake.

6. Të pashpallur si të dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë.

7. Në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për konfliktin e interesave.

 

Nuk mund të jenë anëtarë të Bordit të Autoritetit persona, të cilët:

a) në tre vitet e fundit kanë qenë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;

b) kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi;

c) në tre vitet e fundit kanë qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.

 

 

Kryetari I Bordit mund të jetë i punësuar me kohë të plotë në detyrë tjetër, por nuk lejohet të jetë anëtar në më shumë se 1 bord apo organ vendimmarrës të ndonjë autoriteti tjetër mbikëqyrës.

 

 

Dokumente të tjerë bashkëshoqëruese:

 

1.      Letër ku kandidati shpreh pëlqimin;

 

2.      CV-në e nënshkruar në çdo faqe nga kandidati;

 

3.      Librezë pune ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë të paktën 7- vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku sipas pikës 3, nenit 5 të ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, i ndryshuar;

 

4.      Raport i aftësisë në punë;

 

5.      Vërtetim i gjendjes gjyqësore;

 

6.        Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.

 

7.      Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet në faqen zyrtare të Kuvendit.

 

8.      Formular deklarimi papajtueshmërie dhe konflikit interesi, sipas pikës 7, nenit 5  të ligjit nr. nenit 5 të ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, i ndryshuar.

 

 

Dokumentacioni dorëzohet pranë Zyrës së Protokollit të Kuvendit.

 

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është ora 16.00 e datës 01.07.2020.


Share