Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 28/05/2020

Në drejtimin e Kryetarit, Z.Gramoz Ruçi, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare. Punimet e seancës u zhvilluan sërish nën një protokoll masash të veçanta për shkak të situatës pandemike. Në fillim të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit njoftoi interpelancën  me Kryeministrin kërkuar nga një grup deputetësh lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar. Pas përfundimit të interpelancës dhe fjalës së Kryeministrit, seanca vijoi me shqyrtimin e dy projektrezolutave të Kuvendit, mbi:
Raportin e veprimtarisë vjetore të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit për vitin 2019, të cilin e mbajti z. Shkëlqim Ganaj. Projektrezoluta u miratua me 91 vota pro 11 kundër dhe 1 abstenim
Raportin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2019 , të cilin e paraqiti  z.. Robert Gajda. Projektrezoluta e Kuvendit në lidhje me Raportin u miratua me 88 vota pro 14 kundër dhe 2 abstenim.
Seanca mori në shqyrtim dhe tre akte normative, përkatësisht:
Akti normativ nr. 17, datë 22.04.2020 “Për përjashtimin e zbatimit të procedurave dhe të afateve për përgatitjen e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm për vitin 2020”.Ky akt u miratua me 87 vota pro 12 kundër dhe  5 abstenim
Akti normativ nr. 18, datë 23.04.2020, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar””.
Ky akt u miratua me 84 vota pro 16 kundër dhe 4 abstenim
Akti normativ nr. 19, datë 23.04.2020, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.”
Ky akt u miratua me 85 vota pro 12 kundër dhe  6 abstenim
Në lidhje me aktet normative,  znj. Anila Denaj Ministre në Ministrinë e Financave  sqaroi se krijimi i një kuadri rregullator ndihmon në veçanti tatimpaguesit, përmes shtyrjes së disa detyrimeve tatimore.
Më tej seanca vijoi me shqyrtimin e Projektligjti "Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI).
Në lidhje me projektligjin në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, foli z. Ervin Bushati i cili mes të tjerash  theksoi: “Sot miratojmë një huamarrje, një mënyrë financimi të përshpejtuar nga FMN në fondin 175 miljon euro, sepse financimi i ekonomisë është e vetmja rrugëdalje nga kriza e pandemisë”
Projektligji u miratua me 90 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenim
Në përfundim seanca mori në shqyrtim dhe Projektvendimin “Për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbaj funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit””.
Deputetët e pranishëm në sallë, miratuan me 85 vota pro 13 kundër dhe 7 abstenim, emërimin e z. Ervin Mete, në funksionin e titullarit të Autoritetit.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 13.30



Share