Deputetja Rudina Hajdari thirri në interpelancë urgjente kryeministrin Rama: Çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar në qendër të diskutimit

  • Postuar më, 28/05/2020

28 maj 2020
Seanca e sotme plenare nisi me interpelancën urgjente me kryeministrin e vendit, e mbajtur në foltoren e Kuvendit nga deputetja e grupit parlamentar demokrat, znj. Rudina Hajdari dhe e mbështetur si kërkesë edhe nga dhjetë deputetë të tjerë të opozitës parlamentare.
Për znj. Hajdari dhe firmëtarët e kërkesës shembja e Teatrit Kombëtar u bë në shkelje të respektimit të parimeve kushtetuese, interesit publik, si edhe ruajtjes së vlerave historike të trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar; binte ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe objektivat sociale të saj, konkretisht mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare dhe kulturore; e gjithë procedura e ndjekur për shembjen e teatrit vinte e pambështetur në një vlerësim tekniko-ligjor; nuk garantonte mbrojtjen e pronës publike dhe paraqiste mangësi dhe paqartësi të theksuara në aspektin e leverdisë ekonomike dhe financiare të shtetit, duke krijuar terren abuzimesh. Idesë së abuzimeve të mundshme me truallin e teatrit, znj. Hajdari i mëshoi edhe gjatë fjalës së saj duke e cilësuar barbar aktin e shembjes dhe duke sjellë për referencë pasqyrimin me tone negative dhe kritike nga mediat ndërkombëtare.
“Çështja këtu është a duhet t'i ruajmë këto vlera kulture? Këtu ndahet bota civile nga ajo barbare. Është një opsesioni juaj dhe e keni thënë para një seance. Unë nuk dua të bëj prokuroren. Por uroj që ti të jesh një ditë tek banka e të akuzuarit dhe të shtrohen këto gjëra.  Ju zoti kryeministër në 2000 keni qenë kryetar bashkie jeni munduar për të marrë atë truall. Por në pikën 4 të këtij vendimi thuhet se këto monumente duhet të ruhen. E dini ju që nga 2000-2017 nuk është bërë asgjë për atë teatër. A mos është bërë kjo në mënyrë të qëllimshëm. Nuk ka mundësi që në 17 vite të mos vihet dorë, ndërkohë që ka qenë i mbrojtur me ligj.  Akti tjetër që keni bërë është se sapo keni ardhur në qeveri, e keni përgjysmuar këtë qendër historike. Pse e keni dashur atë truall. Kur erdhi puna tek teatri ju prekët shumë njerëz.  Rezulton dhe një gjë tjetër që keni bërë zoti kryeministër. Në vitin 2000 ju keni dashur të merrni Teatrin e Kukullave në pronësi të bashkisë së Tiranës dhe Gjykata Kushtetuese e ka kundërshtuar. E ka bërë sepse ka qenë në kundërshtim të Kushtetutës. Teatri Kombëtar është institucion që duhet të mbrohet me ligj dhe nuk i transferohet bashkisë me VKM. Edhe këtu jeni në shkelje. Ky opsesioni juaj do ju kushtojë rëndë. Është një shprehje që thotë: Ai që do të kontrollojë të tashmen do të kontrollojë të shkuarën dhe ai që do të kontrollojë të ardhmen. Ju po kontrolloni të tashmen sepse keni opsesion me të kaluarën. Por ata artistë që duan të ruajnë të shkuarën duan të mbrojnë të ardhmen”,- u shpreh znj. Hajdari gjatë paraqitjes së diskutimit të saj në kuadër të parashtrimit të interpelancës parlamentare.
"Unë i kam mbaruar fjalët e mia për Teatrin, nuk kam asgjë për të thënë dhe do të shfrytëzoj për të lexuar fjalët e atyre që kanë bërë teatrin, që janë teatri, e atyre që e nisën protestën për Teatrit dhe kur e nisën as ju, as ata të tjrët që tani janë kthyer në bij të lënduar të Shekspirit, jo vetëm që nuk ishit aty po ju ishte thënë që të mos guxoni të jeni aty”, u shpreh kryeministri Rama në përgjigjen e tij dhe solli disa citate nga qëndrimet mbështetëse të disa artistëve në vend si znj. Rajmonda Bulku, z. Arben Derhemi, z. Bujar Asqeriu, z. Altin Basha, z. Enver Petrovci, z. Bruno Shllaku, z. Josif Papagjoni etj.
Në përfundim të interpelancës urgjente, seanca vijoi me diskutimet e tjera të rendit të ditës.


Share